Site icon Telegrafi

Zbulohet klauzola e re e Rashicës nëse Werderi largohet nga Bundesliga, skuadrat e interesuara për yllin e Kosovës në festë

Milot Rashica është duke i kaluar javët e fundit si futbollist i Werder Bremen, pasi pritet largimi i tij në verë.

Ylli i Kosovës po kërkohet nga shumë skuadra të njohura evropiane, derisa është ende e paqartë mënyra e largimit të tij nga Werder.

Ditë më parë në Gjermani e bënë fakt të kryer transferimin e Rashicës te RB Leipzig, por ka qenë skuadra gjermane që e ka mohuar një gjë të tillë, por pa e mohuar interesimin për Rashicën.

Rashica ka një klauzolë largimi nga Werder Bremen prej 38 milionë eurove, klauzolë që vlen vetëm për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë.

Megjithatë tani mediat gjermane kanë zbuluar një tjetër klauzolë të Rashicës e cila ka shumë mundësi të aktivizohet.

Werder Bremen është duke rrezikuar rënien në Bundesliga 2, dhe nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë aktivizohet klauzola që Rashica të largohet për vetëm 15 milionë euro.

Kjo gjë ka alarmuar skuadrat e interesuara për reprezentuesin kosovar që tani po shpresojnë në rënien e Werderit nga elita e futbollit gjerman.

Nga ana tjetër nëse ndodh një gjë e tillë për Werderin do të ishte një katastrofë e vërtetë, pasi klubi është duke kaluar nëpër një krizë të madhe financiare dhe të gjitha shpresat i kanë tek shitja e Rashicës.

Numri i skuadrave që kërkojnë Rashicën është i gjatë, me RB Leipzig, Borussia Dortmund e Schalke 04 që e duan në Bundesliga, derisa edhe ekipet si Lazio, Liverpool, Wolverhampton e Aston Villa kanë shprehur interesim për yllin kosovar.

23-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 24 ndeshje me fanellën e Werderit ku ka shënuar 10 gola dhe ka bërë pesë asistime. /Telegrafi/

Exit mobile version