Site icon Telegrafi

Vazhdon dëbimi i diplomatëve rusë nga vendet perëndimore – Italia, Danimarka dhe Suedia sot kanë larguar gjithsej 48 zyrtarë

Italia, Danimarka dhe Suedia janë tre vendet e fundit që kanë ndërmarr masa për largimin e diplomatëve rusë, si reagim ndaj raportimeve se forcat ushtarake të Rusisë kanë vrarë dhjetëra civilë në qytetin ukrainas Bucha.

Sipas Reutersit, Italia ka marr masa për të dëbuar 30 diplomatë rusë, ndjekur nga Danimarka me 15 zyrtarë dhe Suedia me 3 diplomatë.

Këta diplomatë dyshohet se janë pjesëtarë të shërbimeve të inteligjencës ruse.

“Italia ka marr masa për të dëbuar 30 diplomatë rusë për shkak të shqetësimeve të sigurisë”, tha ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio.

“Masa është në marrëveshje me partnerët e tjerë evropianë dhe është e nevojshme për arsye që lidhen me sigurinë tonë kombëtare dhe në kontekstin e krizës aktuale të shkaktuar nga agresioni i pajustifikuar kundër Ukrainës nga ana e Federatës Ruse”, ka shtuar Di Maio.

Lexo po ashtu Lituania, Letonia dhe Gjermania largojnë diplomatë rusë

Shërbimi danez i Sigurisë dhe Inteligjencës në një raport në fillim të këtij viti ka thënë se Ambasada ruse punësonte disa oficerë të inteligjencës të përfshirë në spiunazh.

“Ky është një shembull tjetër i brutalitetit, mizorisë dhe krimeve të luftës, të cilat me sa duket kanë ndodhur në Bucha”, tha ministri i Jashtëm danez Jeppe Kofod.

Një numër i qeverive të tjera perëndimore kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë. /Telegrafi/

Exit mobile version