Site icon Telegrafi

Ukraina i drejtohet NATO-s: Ne kemi nevojë për më shumë sesa vetëm armë – reagoni sa nuk është bërë shumë vonë

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka falënderuar vendet në aleancën ushtarake të NATO-s që kanë dërguar municion dhe armë për të ndihmuar në rezistencën ndaj pushtimit rus, por u lut për më shumë ndihmë.

“Na ndihmoni”, tha ai në një video në rrjetet sociale, përcjell Telegrafi.

“Nëse nuk e bëni, kam frikë se do të duhet të ndani përgjegjësinë për jetët dhe vuajtjet e civilëve ukrainas, të cilët vdiqën për shkak të pilotëve të pamëshirshëm rusë që hedhin bomba mbi ta”.

Lexo po ashtu Gjithçka që ndodhi nga dita e tetë deri në ditën e njëmbëdhjetë të agresionit rus në Ukrainë

Kuleba tha se ai është i bindur se do të vijë një moment në luftë ku Evropa do të bëhet “e gatshme të na ofrojë çdo gjë që na nevojitet për të ndaluar Putinin që t’ju godasë” dhe ta kthejë Evropën në një “makth”.

“Shpresa ime e vetme është se nuk do të jetë shumë vonë”, ka thënë më tej ai.

Një kërkesë e tillë vjen në ditën kur centrali bërthamor i Zaporizhzhia në Ukrainë është goditur dhe aty është parë një zjarr.

Lexo po ashtu Aty shpërtheu një zjarr, por sa serioz është kërcënimi në centralin bërthamor në Ukrainë, më të madhin në Evropë?

Dhe pas kësaj, presidenti i Ukrainës ka kërkuar “veprim të menjëhershëm” nga bota mes sulmeve ruse në centralin më të madh bërthamor të Evropës.

Duke kujtuar “katastrofën globale” në Çernobil në vitin 1986, ai paralajmëroi se pasojat e një “shkrirjeje” në Zaporizhzhia do të ishin shumë më të këqija.

Lexo po ashtu Rusët sulmojnë centralin bërthamor më të madh në Evropë – Zelensky, evropianëve: “Zgjohuni, ju lutem!”

“Evropianë, zgjohuni ju lutem. Thuajuni politikanëve tuaj se forcat ruse po qëllojnë në centralin bërthamor në Ukrainë”, u lut ai.

Zelensky tha se ai kishte qenë në kontakt me liderët nga SHBA, Britania e Madhe, BE, Gjermania dhe Polonia, si dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, por u bëri thirrje qytetarëve të zakonshëm që të ngrenë alarmin edhe me politikanët e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version