Telegrafi

Turan largohet nga Barcelona, tre gjigantët turk në garë të ashpër për ta transferuar atë

Arda Turan po i kalon ditët e tija të fundit si futbollist i Barcelonës.

Mesfushori turk nuk ka arritur të bëhet pjesë e rëndësishme e klubit katalunas kësisoj që do të largohet nga ‘Camp Nou’.

Gjatë muajit janar ish-anëtari i Atletico Madrid do t’i japë fund aventurës së tij si futbollist i Barces.

E ardhmja e tij pritet të jetë në Turqi, më saktësisht në qytetin e lindjes së tij Stamboll.

Janë tri skuadrat e mëdha të Stambollit, Galatasaray, Besiktas dhe Fenerbahce që janë në një garë të ashpër për të nënshkruar me futbollistin.

30-vjeçari nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje këtë edicion me Barcelonën pas formës së dobët që ka pasur.

Megjithatë klubet turke janë të gatshme të paguajnë deri në 10 milionë euro për ta rrëmbyer atë.

Tani Turan është duke shqyrtuar ofertën më të mirë financiare para se të vendos se për cilën skuadër do të nënshkruajë.

Kujtojmë që Turan është futbollist i dalë nga akademia e Galatasarayt. /Telegrafi/