Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me targat e automjeteve i vendosur më 20 shtator, ka bërë që situata në veri të mbetet e tensionuar. Dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Janirje dhe Bërnjak që nga e hëna vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.
Pas situatës së krijuar, mbrëmë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikata për media.
Pas takimit në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Kurti ka shkruar se në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak po marrin pjesë individë, që sipas tij janë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Kurti ka postuar edhe përshkrime dhe fotografi për dy prej tyre.
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës, shkruan Telegrafi.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
Disa media në Serbi kanë raportuar për lëvizje të tankeve drejt kufirit me Kosovën, por ushtria serbe nuk është deklaruar zyrtarisht për këtë çështje. Po ashtu, avionë nga Serbia kanë fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovës, çka ka bërë që protestuesit në veri të Kosovës t’i duartrokasin.
Kurti: Serbia po provokon konflikt, i cili mund të marrë përmasa rajonale
Kryeministri Albin Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.
“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.
“Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar dhe sjellja jonë është profesionale e korrekte deri më tani”, u shpreh Kurti.
Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dy rrugët që çojnë në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë janë të bllokuara për automjete. Rruga, shtoi ai, është e bllokuara nga një numër i vogël i qytetarëve serbë që banojnë në veri.
“Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale dhe nga institucione të ndryshme të Serbisë t’iu bëjnë presion qytetarëve tanë të nacionalitetit serb që të bashkohen në protesta”, tha ai.
Ministri Sveçla, tha vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës dhe se sipas tij, deri më tani janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme.
Osmani: Ndërkombëtarët të mos injorojnë tendencën ruso-serbe për të destabilizuar Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.
Krasniqi: BE, SHBA dhe NATO të reagojnë ndaj veprimeve konfliktuoze të Serbisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sulmet ndaj institucioneve tona, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës.
Krasniqi, duke reaguar për gjendje në veri të Kosovës, ka thënë se “me mendje e zemër jam me policët e Republikës së Kosovës, të cilët, në një situatë aspak të lehtë dhe shqetësuese për sigurinë e tyre, për të gjashtën ditë me radhë po qëndrojnë në krye të detyrës, në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje”.
Situata në veri, Abdixhiku: Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend për të mbrojtur interesat tona shtetërore
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se janë duke përcjellë me vëmendje e shqetësim zhvillimet në veri të vendit.
Abdixhiku thotë se “përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë”.
“Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gadishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit”, ka deklaruar ai, shkruan Telegrafi.
Haradinaj: Provokimet në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, duhet të ndërhyjë Brukseli
Kreu i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se situata në veri është e papranueshme. Ai ka thënë se mbështet Qeverinë dhe Policinë e Kosovës.
“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, tha Haradinaj.
Presidenti i Këshillit Evropian: Vuçiq dhe Kurti t’i tërheqin barrikadat dhe policinë nga veriu
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, pas bllokimit të rrugëve atje nga serbët lokalë, ka thënë se është koha që Kosova dhe Serbia të tërhiqen në mënyrë që situata në veri të qetësohet.
Michel ka thënë se po mban kontakte të ngushta me kreun e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell lidhur me situatën në veri të Kosovës.
“Është koha si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, që të tërhiqen dhe të shtensionojnë situatën, duke përfshirë tërheqjen e Njësisë Speciale të Policisë dhe barrikadat dhe të vazhdojnë negociatat mbi propozimin e Përfaqësuesit Special të BE-së Mirosllav Lajçak”, ka shkruar ai.
Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.
Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut. /Telegrafi/