Ditën e hënë, më 5 dhjetor, u nda nga jeta në moshën 41-vjeçare, drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti i madh, Arlind Gjikolli i njohur edhe si Gjikla.
Largimi nga kjo botë i njeriut të vlerave, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe për miqtë.
Humbja e tij ka prekur edhe njerëz nga bota e artit dhe televizionit të cilët përmes reagimeve në rrjete sociale kanë ngushëlluar për vdekjen e tij.
Të famshëm shqiptarë si: Elita Rudi, Capital T, Ledri Vula, Lumi B, Lyrical Son, The Bloody Alboz, Blero, Besnik Qaka, Genc Prelvukaj, Gold AG, Rona Nishliu, Mozzik, Skerdi, Milot Hasangjekaj, Ramadan Krasniqi-Dani, Norik Uka dhe Labinot Gashi janë vetëm disa prej emrave që kanë kujtuar Arlind Gjikollin dhe krijimtarinë që la pas.
Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim. “Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja.
Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës. Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës.
Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit. Si person që jetonte me kohën dhe që donte përparimin, ai dha kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e këtij portali.
Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, e martë në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Pejës. Funerali niset nga shtëpia e të ndjerit, rruga “Mbretëresha Teutë”, numër 89.
/Telegrafi/