Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka thënë se Juventusi, Real Madridi dhe Barcelona janë ende duke menduar se Superliga Evropiane ekziston dhe refuzon të përjashtojë sanksionet për klubet e shkëputura.
Të tre gjigantët evropianë nuk janë tërhequr zyrtarisht nga gara e ashtuquajtur Superliga Evropiane, e cila u lansua saktësisht një javë më parë, duke krijuar një tërmet në botën e futbollit.
12 klube evropiane themeluan Superligën Evropiane, por nëntë nga to u larguan zyrtarisht duke kërkuar falje për veprimin dhe ideja për jetësimin thuhet se tashmë ka dështuar.
Megjithatë, Ceferin në pyetjen se a do të përballen me ndonjë sanksion klubet e shkëputura, ka refuzuar të përjashtoj mundësinë e sanksioneve.
“Le të shohim. Të gjithë duhet të marrin pasoja për atë që bënë dhe ne nuk mund të pretendojmë se asgjë nuk ka ndodhur”, ka thënë fillimisht Ceferin për Daily Mail.
“Ju nuk mund të bëni diçka të tillë dhe thjesht të thoni: “Unë jam ndëshkuar sepse të gjithë më urrejnë””.
“Ata nuk kanë probleme për shkak të askujt tjetër përveç tyre. Nuk është në rregull çfarë bënë ata dhe ne do të shohim në ditët në vijim se çfarë duhet të bëjmë”, përfundoi presidenti i UEFA-s. /Telegrafi/