Lista Serbe, ka bërë të ditur se është duke u angazhuar për rrëzimin nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
E kjo deklaratë e kësaj partie ka nxitur reagime në vend, ndërkaq me kreun e kësaj partie, Goran Rakiq ditë më parë është takuar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Lista serbe thotë se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.
“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha Lista Serbe.
Në reagimin e tyre përmendet rasti i 31 korrikut në veriun e Mitrovicës.
Rakiq: Qeveria po e shkel marrëveshjen e Brukselit, i bashkohemi opozitës për ta rrëzuar
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, një ditë më parë takoi ambasadorin amerikan, Jefferey Hovenier, ndërsa tha se se i dëgjoi me vëmendje porositë e tij për çështjen e reciprocitetit, por se sipas tij, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.
Sipas Rakiqit me marrëveshjen e Brukselit, ndalesat eventuale mund të vlejnë vetëm për palët e treta që hyjnë në Kosovë, ose për ndonjë makinë me targa të Serbisë, por jo edhe për ato të serbëve të Kosovës.
Ministri për Kthim dhe Komunitete tutje shtoi se Lista Serbe e synon rrëzimin e Qeverisë Kurti, dhe se për këtë qëllim bëri me dije se rreshtohet edhe me opozitën.
Ambasadori Hovenier: Ministrit Rakiq ia rikujtova qëndrimet e SHBA-së për reciprocitetin
E pas takimit me Rakiqin është deklaruar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Në një deklarim për media, Hovenier ka thënë se në takimin me ministrin Rakiq ka përmendur pozicionimet e SHBA-së për disa çështje, përfshirë këtu edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.
“Ia rikujtova atij disa qëndrime të SHBA-së për këto çështje që përfshinë masat për reciprocitetin nga Qeveria e Kosovës që deshi t’i fuste në fuqi, nga perspektiva jonë janë konsistente me marrëveshjet e Brukselit dhe legjitime”, është shprehur ambasadori para gazetarëve.
Hovenier tutje ka theksuar rëndësinë e takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin në Bruksel.
“Ramë dakord për rëndësinë e takimit të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji dhe ata duhet të shikojnë disa mënyra për të menaxhuar që ta depërshkallëzojnë situatën”.
Gashi: LDK nuk bashkëpunon me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Kurti
Pas deklaratave të Listës serbe se do të punojnë për rrëzimin e Qeverisë Kurti ka reaguar edhe partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i quan shpifje dhe lajme të rreme, se kinse ai ka deklaruar se do ta përkrahin Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë.
Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ai ka deklaruar se “LDK nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Kurti”.
“Një gjë s’duhet harruar kurrë; ne mund të jemi kundërshtarë politik, mund t’i kemi dallimet tona, mirëpo për kombin e shtetin jemi bashkë përherë”, ka shkruar ai. /Telegrafi/