Telegrafi

Skuadrat e mëdha evropiane në garë për Buksan, sensacioni polak krahasohet me Robert Lewandowskin

Një yll i ri ka filluar shkëlqimin në elitën e futbollit polak.

Fjala është për sulmuesin e talentuar Aleksander Buksa i cili ka marrë hapësira tek skuadra e madhe polake Wisla Krakow.

Tinejxheri polak më 15 janar ka mbushur 17 vite, teksa deri më tani ka zhvilluar 14 ndeshje në elitën e futbollit polak.

Lojtarit kryesisht i janë dhënë hapësira nga banka rezervë, ndërsa ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar.

Edhe përkundër se është në moshë të re, Buksa ka arritur të shënoj tre gola, teksa ka bërë edhe dy asistime.

Shumë skuadra evropiane janë vënë në garë për lojtarin, i cili ende nuk ka një kontratë profesionale me klubin amë.

Barcelona, Bayern Munich, Roma, Milan, Inter, Napoli, Borussia Dortmund dhe Arsenal janë duke vëzhguar talentin e madh polak.

Buksa ka filluar të krahasohet me legjendën polake Robert Lewandowski për mënyrën e lojës së tij.

Skuadrat e mëdha kanë filluar kontaktet me agjentin e lojtarit, ndërsa ato mund ta marrin atë pa para, por vetëm me një marrëveshje ku në shitjen e radhës një pjesë prej 20% do t’i takonte klubit aktual Wisla. /Telegrafi/