Rrjeti social TikTok është kthyer në një nga rrjetet sociale më aktive dhe të përdorura nga ndjekësit në mbarë botën.
Ky rrjet social u shqua si një nga fenomenet e karantinës, ku aktiviteti i personazheve në të u rrit ndjeshëm, me njerëzit që preferonin të ndanin video të ndryshme nga jeta e përditshme.
Edhe shqiptarët filluan të përdorin me të madhe TikTok-ut, teksa vëmendja e madhe u vu menjëherë te numri i ndjekësve dhe pëlqimet që videot e emrave të famshëm shqiptarë marrin.
Por cilët janë shqiptarët më të ndjekur në TikTok?
Aktualisht, nga të dhënat rezultuan se artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është më e ndjekura në rrjetin social TikTok me 3.9 milionë ndjekës.
Këtë shifër ajo e ka arritur falë videove provokuese nga karantina, të publikuara në llogarinë e saj, ku nuk ka hezituar të ndajë me fansat edhe gjëra interesante nga pëtrditshmëria e saj.
Menjëherë pas saj, vjen këngëtarja tjetër e njohur shqiptare, Dua Lipa, e cila ka jo më pak se 3.7 milionë përdorues që e ndjekin në TikTok.
Edhe Dua është mjaft aktive në këtë rrjet sociale me video të ndryshme të realizuar në përditshmëri, në shumicën prej të cilave protagonist është edhe i dashuri i saj, Anwar Hadid.
Ndërkohë, e treta më e ndjekur në TikTok është po ashtu një artiste shqiptare me nam botëror – Rita Ora.
Ora ka një milion ndjekës në TikTok, shifër kjo më e vogël se e dy artistëve të lartpërmendura, shkaku që karriera e Ritës është më shumë e fokusuar në Evropë.
Por nuk janë vetëm shqiptaret me famë botërore ato që kanë shifra të larta ndjekësish në rrjetin social TikTok.
Edhe reperja e njohur shqiptare, Melinda Ademi, ka 500 mijë ndjekës në TikTok.
Ajo madje ka një llogari të hapur që nga viti 2016 në këtë rrjet social.
Ditë më parë, Telegrafi ka raportuar edhe mbi influenceren e re, Dora Kryeziu, e cila gjithashtu ka mbi gjysmë milioni ndjekës në TikTok, shifër të cilën e ka arritur falë aktivitetit të saj.
“Po, momentalisht i kam mbi 500,000 ndjekës. Ishte një video e imja qe u bë virale “Flower and milk bath photoshoot”. Për një kohë të shkurtër i arriti mbi 10 milionë shikime. Filluan të shtohen edhe përcjellësit. Filluan edhe ofertat e para që të bëjë ca reklamime të vogla. Kjo më shtyri që të mendoj se mund të përfitoj pak edhe nga ky hobi. Tani fokusohem më shumë që të bëj: DIY’s, Beauty Hacks, Life Hacks etj. Përpiqem qe ta jap një mesazh pozitiv për ata që më shohin. Nuk përpiqem të krijoj ndjekës në çdo mënyrë. Dua që për ndjekësit e mi të jem një shembull i mirë”, tha Kryeziu në intervistën e fundit. /Telegrafi/