“Mund ta kesh gjithësinë, nëse unë mund ta kem Italinë”. Këto fjalë ia atribuojnë kompozitorit Giuseppe Verdi, si dëshmi e patriotizmit dhe dashurisë për vendin e tij dhe për popullin që do jetën dhe artin. Verdi u frymëzua dhe u ndihmua nga Gaetano Donizetti, kompozitori që lindi në një vend të vogël e me pak banorë, por të madh për nga begatia; në qytetin e fortifikuar me mure, e të hapur ndaj ideve dhe të bukurës… “Ky shpirti yt është peizazh i fantazisë/në valle (Bergomaska – v.j.) me dritë hënë të plotë’/ përcjell’ me ut lozin tinguj qiellor/ të sënditur, nën maskë tjetër bot” (përkth. M. Kërveshi), ka shkruar poeti i madh francez, Paul Verlain, për këtë vend ku më shumë se kudo tjetër vlen motoja e hipikëve: bëni dashuri, e jo luftë! Fjala është për Bergamon, qytetin që për shekuj të tërë nuk është prekur nga lufta. Quhet ndryshe “Qyteti i njëmijtëve”, ndërsa janë 1001 arsyeve për ta vizituar këtë “qoshe më të bukur të Italisë” (Hermann Hesse).
Në restorantin “San Vigilio” të Bergamos, piktori Lekë Tasi porosit një birrë të kuqe, ndryshe nga ato që sheh në Tiranën e tij; ndryshe nga ato “bardhezi”! I ulur në lokalin që gjendet në kodrën më të lartë të Bergamos, shikon Milanon, kryeqendrën e Lombardisë si në pëllëmbë të dorës. Teksa muzgu bie, qyteti i 1.4 milion banorëve shndërrohet në burim dritash. Bashkë me gllënjkat e birrës “Amber Shock”, motori i katërt i Evropës i ngjan një yjësie. Bota e njeriut papritmas ndryshon, bëhet më e bukur!
Shkrimtari australian, Henry Lawson, thoshte se “birra ju bën të ndiheni njashtu siç do të donit të ndiheshit pa birrë”. Leka kthehet në të kaluarën, në Grabjan të Rrethit të Lushnjës, ku ishte i internuar nga komunistët bashkë me familje. Çelisti i parë i Orkestrës Simfonike të Shqipërisë, u dëbua nga Tirana për të kryer punë të detyrueshme në bujqësi. Duart që mbanin dhe luanin violonçelin, tash duhej të hapnin kanale. Një birrë do t’i hynte në punë Lekës në Grabjan. Çfarëdo ngjyre qoftë ajo, e bardhë apo e zezë… bionde apo brune…
“E prisja lirinë në Grabjan. E dija se ajo patjetër do të vinte. Dhe, në atë liri që më priste, ëndërroja të vizitoja gjithë qytetet e Italisë”, shprehet 89-vjeçari Lekë Tasi, me qetësinë dhe urtësinë që secili do të donte t’i përvetësonte!
Të njëjtën ëndërr më 2008 kishte edhe një fëmijë, Veronika gjashtëvjeçare.
“Kur të mbush tetë vjet, dua të shoh gjithë Italinë me sy”, ka thënë ajo në liri, në emisionin për fëmijë, “Fëmijët flasin pa arna”!
Të ëndërrosh do të thotë të jetosh dhe të duash të bukurën. Leka është artist, krijimtaria e të cilit shtrihet në muzikë, pikturë e shkrime. Veronika është një nga shpresat e mëdha të artit shqiptar. Ndërsa, “Italia është ëndrra që kthehet gjatë tërë jetës tënde” (Anna Akhmatova).
LIDHJA E VJETËR: NGA ITALIA, ME DASHURI…
Lidhjet e shqiptarëve me Gadishullin e Apenineve janë të kamotshme. Nisin në antikitet dhe vazhdojnë edhe në Mesjetë. Pas pushtimeve otomane, pjesa më e pasur e më e ngritur e Arbërisë së dikurshme mësyu Italinë. Në Republikën e Venedikut zunë vend aristokracia dhe luftëtarët e mëdhenj, mercenarët më me famë në Evropë – stratiotët shqiptarë. Mërkur Bua, Manuel, Georgo, Nikolo dhe Konstantin Bokali, Llazar Matesi, Adriano Musacchi, Nikolo Masi etj. bënë historinë duke qenë pjesë e betejave më të mëdha të kohës, asaj të Fornovës, Marignanos, Guinegatit… Fama e madhe e stratiotëve krah interesave të Venedikut bëri që ata të rekrutohen edhe nga shtetet tjera italiane, pastaj nga Franca, Spanja, Perandoria e Shenjtë Romake e madje edhe nga Henry i VIII-të i Anglisë në betejat kundër skocezëve të pabindur e të pamposhtur.
Mjeshtri i letrave shqipe, Faik Konica, në veprën “Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Evropës juglindore”, për këta luftëtarë thotë se kanë qenë të ndershëm, që nuk përvidheshin kurrë nga beteja dhe që, për dallim nga të tjerët, silleshin gjithmonë me mëshirë ndaj robërve që kapnin.
Pas pushtimit otoman dhe pas vdekjes së Skënderbeut, një pjesë tjetër e mërgatës shqiptare të asaj Mesjete të vonë – pos stratiotëve të shpërndarë në tërë Evropën – u shkri në aristokracinë dhe qytetarinë vendase të Italisë. Një tjetër krijoi “koloni” shqiptare në jug të Apenineve, ku ruajtën gjuhën, fenë e tyre të krishterë (lindore) ortodokse, por që e pranuan autoritetin e Papës apo uniatizmin. Kështu, Kisha Italo-Shqiptare Katolike Bizantine, sot është unite dhe nga më uniket në botë. E, ishin pikërisht këta arbëreshë që do të bartnin rolin kryesor në zgjimin kombëtar shqiptar. Nga Italia… me dashuri… për shqiptarinë!
Gjatë pushtimit otoman – e deri në fund të shekullit XVIII – ndodhën shtatë eksode të shqiptarëve drejtë Italisë. I “teti” mund të thuhet se ishte ai i intelektualëve që kundërshtonin Ahmet Zogun e më vonë edhe Enver Hoxhën. Ndërkaq, i fundit – me përmasat më të mëdha nga të gjitha të tjerat – ishte ai nga Shqipëria postkomuniste!
Stratiotët që dhurojnë në të dy anët e Adriatikut, nuk munguan në asnjë “eksod”…
DRITAT NË PERËNDIM…
Kështu, nga njëra anë e “San Vigilios” shihen dritat e Milanos. Shumë nga to sot përfaqësojnë shqiptarët. Një nga më domethënëset është ajo e artistit me famë botërore, Adrian Paci, biografia e të cilit – siç thotë studiuesi Stefan Çapaliku – është “uvertura e një vepre të hapur që ndryshon përditë”!
Rruga nga Bergamo drejt Milanos, ku jeton Paci, është 60 kilometra e gjatë. Bëhet shpejt, në autostradën me katër korsi në një drejtim. Por, në një shi të madh ka kolona dhe aksidente. Një natë një veturë goditi tjetrën, tjetra-tjetrën… Papritmas ndjen goditje dhe zhurmë: kupton se je pjesë e një aksidenti zinxhiror!
“Epo, rruga e artit është e vështirë”, thotë Leka dhe relakson situatën, me humorin e tij të hollë që në këtë rast pasqyron edhe një të vërtetë për jetën e vështirë të artistit drejt suksesit – cakun që arriti Adrian Paci!
Paci në shkurt të vitit 2018 kishte ekspozitë në Museo del Novecento të Firences. Ekspozita e quajtur “Prej këtyre dritave do të shërbehet nata”, bën të dukshme atë që normalisht mbetet e fshehur. I biri i piktorit po ashtu të njohur shqiptar, Ferdinand Paci, shpërfaq më së miri anën e ndritshme e shpesh të fshehur të shqiptarëve në Perëndim. Ai është një prej artistëve më të suksesshëm që ka ekspozuar në galeritë më të njohura të botës. Veprat e tij janë në koleksionet prestigjioze, të përhershme, publike dhe private, përfshirë: Qendrën Pompidou dhe Fondacionin Louis Vuitton në Paris, Museet Moderna në Stokholm, MoMA dhe Guggenheim në Nju Jork, Moca në Majemi, Seattle Art në Sietëll, Kunsthaus në Cyrih, GAMEC, Galleria Civica di Modena, Maxxi në Romë, UniCredit në Milano, Deutsche Bank në Frankfurt, Muzeu am Ostwall në Dortmund, Fondacioni La Caixa në Barcelonë, Muzeu Jerusalem në Izrael… Që nga viti 2003 është edhe profesor i arteve pamore në IUAV të Venedikut dhe në Akademinë Carrara të Bergamos.
Në vitin 2016, në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, artisti me famë hapi edhe qendrën artistike rezidenciale “Art House”. Në këtë qendër zhvillohet një veprimtari intensive ekspozitash dhe punëtorish për artin bashkëkohor. Atë që nuk e bën shteti, e bën Paci duke afruar krijuesit, për të mirën e përgjithshme të artit shqiptar.
“Ai më kujton gjithnjë statusin e njeriut aktiv, i cili jeton jo thjesht të tashmen duke reaguar kundër së kaluarës, por njëkohësisht jeton të kaluarën përmes kujtesës dhe, përmes projekteve e shpresave, të ardhmen e vet”, thotë për stratiotin modern shqiptar, profesori Stefan Çapaliku.
DRITAT NË LINDJE…
E, në anën tjetër të “San Vigilios”, nga ku shihet Bergamo, një dritë shpërfaq kreatorja e modës, Dorina Kola. Ajo ka vite që ka hapur studion e saj “D-Kola”. Më herët ka punuar edhe për stilistë të njohur në Milano, por tash ka linjën e saj unike që është prezantuar në mbi 10 sfilata. Disa nga to janë performanca të mëdha – përtej artit që përçojnë idetë e Dorinës në modë.
Ajo madje është angazhuar të realizonte projektin jo të rëndomtë, “Një grua e veshur me diell”. Me këtë projekt që do të adaptohej më vonë nga të tjerët, pothuajse në tërë Italinë, u veshën me krijimet e saj skulpturat e Shën Mërisë së Muzeut “Bernareggi”. E shenjta u stolis me petkun shqiptar dhe shpërfaqi bukurinë shqiptare.
Një gjë që e bën të veçantë punën e Dorinës është inspirimi që merr nga kultura shqiptare, në veçanti nga xhubleta – dëshmi e lashtësisë dhe dellit shqiptar për art. Në esenë “Filozofia e veshjes”, dramaturgu Oscar Wilde ka thënë se “moda është veç një formë e shëmtisë tërësisht të padurueshme, që duhet ta ndryshojmë çdo gjashtë muaj”! Por, xhubleta u ka rezistuar jo muajve, po mijëvjeçarëve.
“Historia jonë është shkruar edhe në rroba. Ato shpërfaqnin estetikën, karakterin dhe forcën tonë. Edhe krenarinë, sepse ishin bërë ashtu që trupi të rrinte drejt”, thotë ajo, teksa shton se xhubleta mbetet mister i pazgjidhur. “Vlera e saj është e paçmueshme. Disa nga to peshonin deri në 36 kilogramë. Xhubletat janë punuar në mënyra të ndryshme, të cilat pakkush e di se si, meqë, fatkeqësisht, sot s’kemi askënd që di ta punojë (në cilëndo formë, si dikur)! Prandaj, vazhdojnë të studiohen”.
Dorina, si rrallëkush, di të shpjegojë rëndësinë e veshjes, fuqinë dhe domethënien e saj. Ajo di të zbërthejë në fjalë të sakta kombinimin e ngjyrave, të formave dhe materialeve. Kështu, tregon se xhubleta është unike edhe si dëshmi e fantazisë shqiptare.
“Thuhet se vajzat i punonin kryesisht nga ora 3:00 e deri në 6:00 të mëngjesit. Mbase sepse kjo ishte koha e ëndrrave. Pra, fantazia në këto orë ishte më e fuqishme për të krijuar”, shton Dorina.
Ajo nuk punon me porosi. Thjesht, do që puna që bën e që shihet edhe të pëlqehet. E, ai krijim është origjinal, nga Dorina dhe frymëzimi që vjen nga tradita shqiptare…
QYTETI I PASUR…
Bergamo është kryeqendra e Provincës të Bergamos, në rajonin e Lombardisë në Itali. Qyteti ka 40.2 kilometra katrorë dhe 121 mijë banorë. Si provincë ka 243 komuna, 2750 kilometra katrorë dhe 1.1 milion banorë. Qyteti i Bergamos ndahet në dy pjesë: në pjesën e epërme – “Citta Alta”, dhe në pjesën e poshtme – “Citta Bassa”. Këto dy pjesë janë të ndara nga muret e fuqishme të Venedikut, të cilat që nga viti 2017 janë në mbrojtje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO.
Pas Milanos, Bergamo është qyteti i dytë më i vizituar në Lombardi. Por, përkundër bukurisë së tij, dikur ishte vend i anashkaluar. Siç thotë Patrizia Ravanelli, turistët deri vonë njihnin veç qytetet e tjera, si Napolin, Firencen, Veronën, Romën, Venedikun…
“Bergamo ishte qytet gati i panjohur. Ç’është e vërteta, as ne nuk ishim të përgatitur për valë të mëdha të turistëve, sepse s’kishim hotele – as në numër e as të duhura – për t’i pritur ata”, thotë Ravanelli duke shtuar se, çuditërisht, është një kompani irlandeze që bëri shumë për qytetin e saj. “Ryanair me çmime të lira ndikoi të zhvillohej turizmi te ne. Tash kudo mund të shohim vizitorë të huaj”.
Mbi 52.4 milionë turistë e vizituan Italinë më 2016. Ata këtij vendi i sollën profit prej 189 miliardë eurove. Shumë nga ta vizitojnë edhe Bergamon, këtë qytet me histori dhe bukuri unike. Aeroporti i Caravaggios që më 1937 u hap për nevoja të Ushtrisë e nga ku më 1972 u nis fluturimi i parë civil, sot u shërben mbi 11 milionë udhëtarëve.
Lombardia ka 23.8 mijë kilometra katrorë dhe popullatë prej 10 milionë banorëve. Pas rajonit autonom të Tirolit Jugor dhe Trentino-Alto Adiges me shumicë austriake, kjo është pjesa më e pasur i Italisë që gjeneron 21.71 për qind të Bruto Prodhimi Vendor (BPV) të Italisë me 60.5 milionë banorë. BPV për kokë banori në Lombardi është në nivelin 132.88 për qind – në krahasim me nivelin mesatar të Italisë (100).
Si është e mundur kjo?
“Thjesht, me punë”, thotë Alban Gjata, një shqiptar që e njeh dhe e do si rrallëkush këtë qytet.
Në fakt, bergamaskët shquhen si punëtorë të mëdhenj. Edhe sot njihen si muratorët më të mirë në Itali. Dhe, teksa sheh qytetin mesjetar në pjesën e epërme të Bergamos, atë mund dhe estetikë të bërë me gurë, kupton se këtu banonin njerëzit punëshumë. Edhe ushqimi tradicional i tyre që shërbehet pothuajse në çdo pjatë, Polenta – Pulendra jonë, një si kombinimi i kaçamakut me hallvë – është dëshmi për këtë. Ky ushqim i respektuar në këtë rajon, njihet nga disa kulinarë si “pjata e njeriut të varfër në veri të Italisë”. Pra, begatia është burim i një pune të madhe, jo vetëm nga paraardhësit.
“Me Polentë, këtë ushqim të lirë, e kanë ngopur barkun. Kanë punuar shumë dhe gjithçka kanë ndërtuar me përpikëri”, shton Albani i cili ka studiuar edhe për arkitekturë. “Pushteti ka zgjedhur për punë të mençurin e të tjerët e kanë ndjekur atë. Kjo është pasuria tjetër e këtij rajoni: e njohin veten dhe atë që di më shumë! Zaten, është thënë moti se mençuria më e madhe është të dish që nuk di”!
HISTORIA E PROSPERITETIT DHE PAQES…
Historia e Bergamos (që njihet edhe si Qyteti në Kodër) nis që në antikitet. Është themeluar fillimisht nga keltët, si pikë strategjike për invadimet e mëtejshme të tyre, përfshirë ato në tokat ilire – paraardhësve të shqiptarëve, deri te ardiejtë te Shkodra e sotme. Pas keltëve vendi banohet nga etruskët, e në vitin 49 p.e.s. bëhet pjesë e Perandorisë Romake.
Në Mesjetën e hershme Bergamo u invadua nga hunët e gotët, për t’u pushtuar pastaj nga fisi gjerman që nga romakët e civilizuar do të ketë epitetin e barbarit, por që me emrin e tyre sot identifikohet një nga zonat më të zhvilluara në botë: lombardët! Nga shekulli VI Bergamo do të jetë dukatë e më vonë konté nën Karlin e Madh. Nga shekulli XI ishte komunë e pavarur e Ligës Lombarde, e nga viti 1264 pjesë e Dukatës së Milanos. Më 1428, qyteti – siç i ishte dorëzuar Gjonit të Bohemisë – kërkon të jetë nën Venedikun. Kjo do të nxiste konflikte në Lombardi, ku pos Venedikut e Milanos u përfshinë Papati, Franca dhe Perandoria e Shenjtë Romake. Venediku triumfon, por për të qenë i sigurt nga sulmet eventuale të Dukatës së fuqishme të Milanos, ky shtet nis projektin gjigant për ndërtimin e mureve që sot, përmes UNESCO-s, njihen në tërë botën. Kështu, nga vitet 1561 e deri më 1588, qyteti i hapur shndërrohet në qytet të fortifikuar me mure të trasha e të larta që do të mbronin pjesën perëndimore të Venedikut. Qyteti do të ketë katër porta: Portën San Lorenzo në veri; portën San Giacomo në jug; portën Sant’Alessandro në perëndim; dhe portën Sant’Agostino në lindje.
Mbi çdo portë është gravuar luani i Venedikut. Putra e majtë e luanit ishte në det dhe e djathta në tokë. Pra, Venediku ishte sundimtar i tokës dhe detit, në lindje deri në Qipro e në perëndim deri në Bergamo. Kur libri (Bibla) ishte i mbyllur, atëherë Venediku tregonte se aty ishte “me punë”, pa vullnetin e vendasve. Ndërsa, kur libri ishte i hapur, atëherë kishte shkuar në paqe, siç kishte ndodhur me Bergamon që kishte kërkuar të jetë i sunduar nga “La Serenissima” – nga paqja.
Në fakt, Venediku për shekuj të tërë jetoi në paqe. Shteti funksiononte si republikë liberale ku të gjithë, pa marrë parasysh klasën, jetonin në harmoni e pa trazira të brendshme. Diplomacia, pasuria, drejtësia dhe prosperiteti e karakterizonin këtë vend dhe këto tipare e bënë që të mbijetonte për shekuj. Paqja e ka karakterizuar edhe Bergamon – që nga sundimi venedikas e deri në ditët e sotme!
FORTIFIKIMI, QYTETI PIKTURË DHE UNIFIKIMI…
Për të njohur të veçantat e Bergamos, 68-vjeçari Giacomo Maria Nicolini është një libër lëvizës i historisë. Ky është qyteti i tij dhe i të parëve të tij. Ky është qyteti që atë e bën krenar dhe këtë ndjesi ia kthen me përkushtim vendlindjes së tij.
“Kultura italiane burimin e ka këtu, në veri”, thotë një prej figurave më unike të Bergamos, që po të ishte aktor do ta konkurronte mbase Daniel Day-Lewisin në rolin e Abraham Lincolnit. “Dëshmi është Bergamo, si vend ku e ruajmë traditën. Ndërtesat që shihni datojnë nga shekulli XII e deri në shekullin XIX. Assesi jo më vonë”.
Nicolini tregon se ky qytet përherë njihej me begati. Qyteti kishte dikur 82 kulla, disa nga të cilat ishin 67 metra të larta. Ato ishin për mbrojtje, por edhe si simbol i familjeve të pasura. Sot në qytet janë 52 kulla të tilla.
Disa nga këto kulla janë rrënuar gjatë ndërtimit të mureve venedikase, kur u shkatërruan 600 shtëpi dhe 16 kisha. Nga frika e revoltës popullore, në qytet u vendosën 500 këmbësorë të armatosur. Por, kryengritje nuk kishte…
“Venediku solli dije, estetikë dhe punë për shekuj me radhë. Mbi të gjitha, solli paqe dhe rend”, shton Nicolini.
Mjafton ky fakt për ta kuptuar këtë: Venediku emëronte dy udhëheqës në qytet – njërin për çështje civile (prefektin) dhe tjetrin për çështje ushtarake (komandantin). Ata ndërroheshin çdo vit, sepse qëllimi ishte shumë fisnik: të shmangej korrupsioni. Prefekti i fundit venedikas ishte Alvise Contarini.
Por, rendi dhe begatia e ka karakterizuar përherë këtë qytet, sepse kështu donte populli dhe sundimtarët nuk do të mundnin lehtë të bënin të kundërtën. Ata ishin pjesë e rrugës së rëndësishme tregtare, “Via Mercatorum”, që ndërlidhte Gadishullin e Apenineve me pjesën tjetër të Evropës. Ata kishin ndërtuar jo më pak se 13 sheshe, ku çdo shesh kishte emrin e një lloji të tregtisë: p.sh. sheshi i këpucëve, i peshkut, i sanës… Mbi të gjitha, e donin të bukurën, ndaj të gjitha ndërtesat i kishin të pikturuara nga jashtë dhe nga brenda. Gjurmët e këtyre pikturave shihen edhe sot.
Qyteti pra ishte i zhvilluar edhe kur ishte komunë e pavarur e edhe nën Milanon. Fushat ishin të punuara, ndërsa kudo kishte miniera plumbi, hekuri e të boksiteve. Vendi kishte punishtet e veta të monedhave (Zecca), e uji kurrë nuk mungonte. P.sh. Dukata e Milanos ndërtoi rezervuare të rëndësishme të ujit me 18 mijë apo 50 mijë brente (një brente ishte sa 50 litra). Ndaj, në kohë izolimi apo thatësie, vendi nuk vuante për ujë. Burim i rëndësishëm uji do të bëhej edhe fontana që Alvise Contarini ia dhuroi më 1780 popullit të Bergamos, në Sheshin Vecchia.
Pas Revolucionit Francez, më 1797 gjenerali Napoleon Bonaparte marshon në Venedik, duke i dhënë fund republikës së pavarur 1100-vjeçare dhe sundimit venedikas në Bergamo. Qyteti bëhet pjesë e projekteve politike të Francës e më vonë pjesë e Mbretërisë së Lombardisë dhe Venedikut – nën kurorën perandorake austriake. Austriakët zgjerojnë qytetin dhe sjellin hekurudhën, por shpejt nuk do të ishin të mirëseardhur. Bergamaskët përcaktohen për Risorgimenton (Rigjallërimin) – Italinë e bashkuar, për çka ofrojnë një numër të madh vullnetarësh për Giuseppe Garibaldin. Është kjo arsyeja pse Bergamo ndryshe njihet edhe si “Citta dei Mille” (“Qyteti i njëmijtëve”, sipas numrit të vullnetarëve që iu bashkuan Garibaldit). Banorët edhe sot mburren që ishin pjesë e historisë që përmbyllet më 1871 – me bërjen e një shteti më të madh, më të fuqishëm e më të bukur të quajtur Itali! Dhe, nuk duhet harruar se një nga më meritorët për këtë bashkim është arbëreshi Francesco Crispi, kryeministër në vitet 1887-1891 dhe 1893-1896. Ai shfuqizoi dënimin me vdekje, shfuqizoi ligjet kundër grevave, kufizoi pushtetin policor, reformoi kodin penal dhe riorganizoi sistemin e bamirësisë…
NË MBROJTJE TË MUREVE – TRASHËGIMISË…
Nicolini tingëllon si një “paradoks”: humanist në njërën anë, por që pëlqen politikat sociale të fashizmit. Në fakt, ideologjia kah e cila anon ai, ideal kryesor kishte shtetin dhe mirëqenin: ulje të papunësisë, shkollim e kujdes shëndetësor falas, mbështetje për familjen dhe për fëmijët, për të papunët dhe për invalidët, pensione dhe pushime të garantuara për të gjithë, mbrojtje dhe siguri sociale. Kjo ideologji proklamonte edhe meritokracinë. E keqja e këtij sistemi ishte tentimi për t’u bërë fuqi koloniale. Të njëjtën e synoi edhe arbëreshi Crispi, reformatori i madh, por e futi shtetin në konflikt me Francën dhe Britaninë e Madhe. Dhe, të gjithë e dinë pastaj se ç’i ndodhi luftënxitësit Benito Mussolini: më 28 prill 1945, kufoma e tij, bashkë me atë të të dashurës Clara Petacci, do të varej nga partizanët – e përmbysur me kokë poshtë, në sheshin Loreto të Milanos. Partizanët e kishin frymëzim edhe një arbëresh, filozofin komunist Antonio Gramsci, emrin e të cilit e bartin shumë rrugë në Itali. Sidoqoftë, italianët shmangin të kaluarën që vendit i sjell shkatërrim, qoftë sipas ideologjisë së Mussolinit apo të Gramscit!
Nicolini është punëtor i palodhshëm që jeton me program strikt. Është i hapur ndaj të huajve dhe i hapur ndaj çdo ideologjie që sjell mirëqenie sociale. Por, urren dembelinë dhe injorancën – deri në ekstrem: me refuzimin për ata që nuk punojnë, që nuk janë të saktë, që nuk lexojnë, që nuk mësojnë e madje nuk dinë t’i dallojnë p.sh. afresket e shekullit XII me ato të shekullit XV!?
“E kam mundur edhe kancerin”, thotë dhe pastaj ndez një “paradoks” tjetër – një cigare!
Ai udhëheq organizatën joqeveritare të quajtur “Orobicambiente Onlus”. Organizata është formuar më 2007 me qëllim të vetëm kujdesin ndaj ambienteve dhe monumenteve të braktisura historike. Aktiviteti është i përqendruar kryesisht në “Citta Alta” dhe bazohet në punë vullnetare.
NDJESIA E VULLNETARIZMIT…
“Orobicambiente Onlus” vepron në një sipërfaqe prej 4,700 hektarëve (47 kilometra katrorë) në 10 komuna. Meqë puna e saj i ka sjellë dobi qytetit dhe qytetarëve, nga viti 2015 ka fituar edhe mbështetjen e organeve të Bashkisë. E, ndihmat nuk mungojnë as nga individët dhe bizneset.
Kjo OJQ sot ka 30 vullnetarë që punojnë afro gjashtëmijë orë në vit. Për punë janë dy grupe: njëri që punon në lartësi e tjetri në rrafsh. Në këto aktivitete vullnetare, të angazhuar janë edhe dy shqiptarë: Durim Taçi dhe Alban Gjata.
Nicolini është i lumtur për kontributin që jep ai dhe bashkëpunëtorët e tij. Madje, mburret për ndjesinë e vullnetarizmit që sundon në Bergamo – një e veçantë tjetër e këtij qyteti dhe rajoni.
“Jemi të parët për punë vullnetare. Janë mbi 15 mijë vullnetarë që merren me aktivitete të ndryshme shoqërore”, thotë ai. “Secili bën një punë të vogël e bashkërisht diçka të madhe për të mirën e përgjithshme. Madhështia e popullit përcaktohet nga këto gjërat e vogla”.
Pastrimi i mureve venedikase ka pothuajse rol primar për “Orobicambiente Onlus”. Këto mure kanë një perimetër prej gjashtë kilometrash dhe mbi 2.5 milionë gurë. Në vende të caktuara kanë lartësi deri në 15-20 metra, ndërsa kapin në total një sipërfaqe prej 150 mijë metrave katrorë.
Puna që bëjnë vullnetarët menjëherë ka vënë në pah dëmet që koha ua ka shkaktuar mureve. Pos barit, në vende të caktuara kanë mbirë trungje që duke u rritur nisin të çajnë muret. Falë angazhimit të kësaj OJQ-je dhe pastaj edhe pas reagimit qytetar, ka pasuar intervenimi i organeve të qytetit për të sanuar dëmet.
“Itali është kjo. Neglizhenca e përsëritja e gabimeve këtu nuk falet, ndaj shteti ndërmerr menjëherë masa”, thotë Albani.
Vullnetarët, me këtë angazhim, pos vlerësimit të punës nga qytetarët, kanë fituar edhe diçka tjetër: dashurinë për natyrën dhe njohjen e rajonit ku jetojnë.
“Lëvizjet e shumta na bënë t’i njohim më shumë bukuritë e qytetit dhe provincës sonë”, thonë ata.
EPIQENDRA E ARTIT BOTËROR…
Por, muret e Venedikut kurrë nuk u përballën me luftën. Madje, as Lufta e Dytë Botërore nuk e preku këtë qytet. Muret mbetën veç relikt i së kaluarës dhe i frikës së dikurshme se dikush do të kërcënojë mirëqenien e banorëve të qytetit. Në fakt, qyteti ishte përherë i hapur. Edhe ndaj imigrimit të të huajve. Kështu, sipas statistikave, deri në vitin 2006 në Provincën e Bergamos 11 për qind të popullatës (121 mijë banorë) e përbëjnë të huajt. 12 mijë nga ta janë shqiptarë. Qyteti është i hapur sidomos ndaj turistëve dhe studiuesve – atyre që duan të njohin monumentet dhe bukurinë shpirtërore të tij. Muret dhe barrierat fizike, çfarëdo qofshin ato, nuk mundën kurrë të izolojnë një popull mendjehapur.
E, kur është fjala për bukurinë e këtij vendi, çfarë tjetër të thuhet pos se edhe kjo është Itali – pjesë e shtetit që ka më shumë se çdo vend tjetër në botë lokacione të mbrojtura nga UNESCO; shtet ky ku janë 75 për qind të vlerave artistike të botës me shtatë miliardë banorë; shtet ky ku pasuria artistike tejkalon çdo vlerë monetare në botë? Italia është e mbushur me kisha, me afreske të bukura, me kështjella mesjetare e rrënoja e objekte romake. Shumë nga trashëgimia e Perandorisë Romake, që zotëron Italia, është meritë e Papës me origjinë shqiptare, Klementi i XI-të, i cili kishte autorizuar ekspeditat e zbulimeve dhe të ruajtjes së tyre. Por, e kaluara është bërë sot problem për shtetin. Thuhet se mbi 42 mijë monumente kanë mbetur në mëshirë të fatit dhe kohës, sepse shteti nuk ka mundësi të kujdeset për to.
“Historiani dhe esteti mbase më i madhi, Ernst Gombrich, matej kur shkruante për Italinë, sepse e dinte se mund të jetë diku ndonjë fshat i braktisur e i lënë në harresë, që ka monumente të mëdha që përmbysin çdo përkufizim për bukurinë”, thotë me të drejtë Stefan Çapaliku. Ndërsa, Alban Gjata shton me shaka: “Mu për këtë Italia nuk sulmohet nga terroristët, se nuk dinë nga t’ia nisin”!
Kështu, veç në qytetin e Bergamos, që i tëri është monumental, janë këto lokacione mahnitëse: “Cittadella”; Sheshi “Vecchia”; “Pallati i arsyes” (Palazzo della Ragione – i ndërtuar në shekullin XII, ku ishte qendra administrative e Mesjetës); “Biblioteka civile” (Palazzo Nuovo); Pagëzimorja e vitit 1340 (Battistero); Katedralja e shekullit XVII; Kisha “San Michele al Pozzo Bianco” e ndërtuar në shekulli XII, ku ka afreske të punuara nga Lorenzo Lotto; Bazilika “Santa Maria Maggiore” – një kishë e madhe me arkitekturë romaneske, ndërtimi i së cilës nisi më 1137 e ku kanë punuar piktorët Paolo Cavagna, Enea Salmeggia dhe Francesco Zucco… Aty është edhe varri i kondotierit Bartolomeo Colleonit, që cilësohet si një nga strategët më të mëdhenj ushtarakë në histori.
BOTA U TAKON TË RINJVE…
Në Bergamo është shtëpia e Giacomo Quarenghit, gjeniut të arkitekturës që punoi për Ekatarinën e Madhe dhe që bëri Shën Petersburgun një nga qytetet më të bukura në botë; pastaj shtëpia dhe varri i kompozitorit të madh, Gaetano Donizetti, e madje edhe lokali “Tre Gobbi” ku ai rrinte dhe pianoja ku luante. “Ditët e mia të lulëzimit po mbarojnë dhe një tjetër duhet të zë vend. Bota kërkon diçka të re. Të tjerët kanë lëshuar vendet e tyre për ne dhe ne duhet t’ua dorëzojmë të tjerëve… Jam mëse i lumtur t’ia jap timin njerëzve të talentuar si (Giuseppe) Verdi”, ka thënë Donizetti në një letër që ia ka dërguar të dashurës së tij milaneze, Giuseppina Appiano Stringeli, si dëshmi e virtyteve të njerëzve të mëdhenj që pa xhelozi hapin rrugën për të tjerët.
Në Bergamo janë fërkemët e veprat e piktorëve Francesco Terzi, Luigi Steffani, Enrico Scuri, Lattanzio Querena, Silvio Poma, Bartolomeo Nazari, Giovanni Battista Moroni, Ponziano Loverini, Arturo Bonfanti, Viviano Codazzi, Luigi Deleidi, Simone Peterzano dhe nxënësit të tij Michelangelo Merisi da Caravaggio…
Pastaj gjurmët e filozofit Evandro Agazzi; poetit Bernardo Tasso; skulptorit Giacomo Manzu; miliarderit Alberto Bombassei; leksikografit Ambrogio Calepino; aktorëve Stefania Careddu dhe Pietro Ghislandi; producentit Erik Gandini; skenaristit Fabio Volo; regjisorit Ermanno Olmi; matematikanit Oscar Chisini; muzikologut Pietro Cerone; pianistit Gianandrea Gavazzeni; sopranes Anna Maria Strada; violinistit Pietro Locatelli; çelistit Carlo Alfredo Piatti; libretistit Bartolomeo Merelli…
Këtu ka lindur Arlecchino, themeluesi i Commedia dell’arte – një monument tjetër italian: veshja e tij me forma gjeometrike, maska dhe kapela, përmes heshtjes flasin më shumë se shumëçka tjetër për koloritin italian. Në këtë provincë, në Sotto il Monte, ka lindur Papa Gjoni i XXIII-të, që nga vendasit njihet si “il Papa buono” (“i Miri”). Ai kishte mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa ndihmoi të tejkalohej Kriza Kubane mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Ky papë më 2013 shpallet i shenjtë nga Vatikani.
Pasuri tjetër e kësaj province është vallja Bergomask që përmendet te “Ëndrra e një nate vere” e William Shakespearit; dialekti unik bergamesk që ngjan me frëngjishten dhe katalonishten e që dallon shumë nga italishtja zyrtare; kukullat Giopino, të famshme në teatrin për fëmijë (një koleksion i vlefshëm e i vjetër i këtyre kukullave është në San Pelegrino, në lokalin e vjetër të Luigi Milesit, pastiqerit që e donte teatrin); e madje edhe deltari Bergamasko që duket si një batanije e leshtë lëvizëse…
KOMUNA E VOGËL E MADHE…
Ky është qyteti Bergamo; një qytet i vogël, por që ofron shumë për vendasit dhe të huajt. E tillë është e tërë provinca: e përbërë nga komuna të vogla, me pak banorë, po ku në secilin vend gjen margaritarë natyrorë dhe njerëzorë. Në këto komuna ka qetësi, pastërti dhe gjelbërim. Rrokaqiejt shihen në pak vende e njerëzit janë të afërt me njëri-tjetrin. Në këto qytete nuk ka pakica, sepse të gjithë janë pjesë e pakicës, ndaj kjo barazi i bënë të jenë edhe tolerantë dhe të afërt. “Njeriu që jeton në komunitet të vogël, jeton në një botë më të madhe”, do të thoshte gazetari dhe shkrimtari anglez, G. K. Chesterton.
Disa komuna, si Biello apo Piazzolo, nuk kanë as 100 banorë. Lëvizje të popullatës ka brenda provincës e po ashtu brenda rajonit të Lombardisë, në veçanti drejt Milanos. Dëshmi për këtë është fakti se vetëm 31 për qind e banorëve të Bergamos kanë lindur në këtë qytet, teksa të tjerët kanë ardhur nga vise apo shtete të tjera. Për këtë arsye, të rinj sheh më shumë në Milano se në Bergamo.
Italia ka dhjetëra vendbanime fantazmë (të braktisura nga banorët). Disa nga to janë në Lombardi, e vetëm një në Provincën e Bergamos: Borgo del Canto, një vendbanim mesjetar i ndërtuar mes dy manastireve benediktine, historia e të cilit vazhdon të jetë e pandriçuar mirë.
Provinca është e vogël e me infrastrukturë të mirë rrugore. Në distancë të vogël mund të vizitohet lehtë tërë rajoni. P.sh. vendi piktoresk dimëror, Cornalba, me afro treqind banorë, apo Serina me pak më shumë se dymijë banorë. Në këtë të fundit mund të hani drekë për 10 euro (tavolinë suedeze, pjatë me makarona, pjatë me mish, verë, ujë, tortë dhe kafe) e të shijoni arkitekturën e vjetër, si dhe afresket e punuara nga emrat e mëdhenj të artit botëror: Palma il Vecchio, Andrea Previtali, Francesco Rizzo…
Në fakt, ofertat e tilla për drekën “gjigante” me shumën nga 8-15 euro, janë të famshme në Bergamo. Gjithçka është më lirë se në Kosovë e se në Shqipëri – duke mos llogaritur këtu pagën shumë më të madhe mesatare. Dhe, gjithçka është më e shijshme e më e shëndetshme. Sepse, fjala është për produkt origjinal italian!
E, kur është fjala te ushqimi italian, kupton se pse në Kosovë apo në Shqipëri ka pak lokale ushqimi me mbishkrimin “Restorant italian”: për faktin se ushqimet më të njohura të kësaj tradite – pica, makaronat, lazanja, pulendra, rizoto, fokaqa – janë bërë pjesë e përditshmërisë shqiptare. Shto këtu edhe makiaton dhe espreson, pije të cilat aq shumë konsumohen nga shqiptarët sa që me kualitetin e tyre po u bëjnë konkurrencë edhe italianëve!
INDUSTRIALISTËT HUMANË…
Në pjesën e vjetër historike të Bergamos banesat janë të shtrenjta. Aty metri katror kalon shifrën e 12 mijë eurove, gjë kjo e natyrshme kur dihet se në atë zonë historike janë diku 2,000 shtëpi e shumë pak banorë (afro 3,000). Mirëpo, në Serina, me 30 mijë euro mund të blini banesë në pjesën e vjetër historike. Serina është vend i qetë e piktoresk. Dhe, nga aty asnjë vend nuk është larg, kur dihet se në provincën e vogël qarkullimi është kudo i lehtë!
Në këto anë ka ujë të mirë e me bollëk. Thuhet se Leonardo da Vinci kishte vizituar banjën e San Pellegrinos, veç për ta shijuar “ujin e mrekullisë”. Në Pellegrino janë diku 4,900 banorë, ndërkaq veç në fabrikën e përpunimit të ujit punojnë afro 1,900 vetë që gjenerojnë qarkullim vjetor prej 900 milionë eurove. Riccardo Doneda – që e njeh mirë qytetin e tij dhe të folmen e vjetër të rajonit – thotë se Leonardo në lumin Adda të Bergamos kishte testuar edhe një zbulim të tij: urën mobile dhe qarkullimin me litar.
Kur është fjala te lumi Adda, duhet cekur se aty gjendet një nga vendbanimet më unike në botë, Crespi d’Adda, sinonim i të ashtuquajturit “fshati model”: koncept i industrialistëve vizionarë dhe humanë, që nisi nga shekulli XVIII. Ky vendbanim është ndërtuar kah fundi i shekullit XIX nga Cristoforo Crespi, aty ku fillimisht kishte ngritur një fabrikë moderne tekstili. Qëllimi i tij ishte të bënte punëtorët e lumtur, ndaj ua ndërtoi shtëpitë me kopshte, pastaj shkollën, spitalin, teatrin, kishën, varrezat… Për këtë vendbanim kishte ndërtuar edhe një hidrocentral, ndaj tërë hapësira ishte e ndriçuar. Në këtë hidrocentral janë bërë disa devijime që të mbrohen edhe peshqit. Nën udhëheqjen e familjes Crespi, për mbi 50 vite asnjë grevë e asnjë pakënaqësi sociale në këtë hapësirë nuk kishte. Fatkeqësisht, Kriza e Madhe Ekonomike e viteve ’20 të shekullit të kaluar e detyroi këtë familje ta shesë pronën. Por, shtëpitë u mbetën punëtorëve, trashëgimtarët e të cilëve vazhdojnë të jetojnë në këtë vendbanim, i cili që nga viti 1995 është i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Në Bergamo lindën dy shërbime, pa të cilat sot nuk mund të mendohet jeta. Fjala është për fshatin e vogël malor, Cornello dei Tasso. Në këtë fshat shumë të famshëm e shumë të vizituar në Mesjetë, sot jetojnë veç 23 banorë. Fshati që ka bukuri magjepsëse, është i tëri rrethuar nga bukuritë natyrore. Në kompleksin e ndërtuar në shekullin XII, dikur ofrohej siguri për tregtarët e shumtë, meqë andej kalonte rruga e famshme “Via Mercatorum”. Aty kishte bujtina, mejhane, dyqane… Familja Tasso që ndërtoi këtë vendbanim, do të shpërndahej me kalim kohe në tërë Evropën. Por, trashëgimtarët do të ishin përherë njerëz të rëndësishëm. Disa nga ta do ta nisnin shërbimin e transportit me porosi – taksin; të tjerët do ta nisnin shërbimin postar që do të rrokte tërë Evropën.
Në Provincën Bergamo gjendet edhe Marne di Filago, i njohur për pastat “Casoncelli” dhe kështjellën e frikshme mbi shkëmbinj e mbi ujë (vend i ceremonive të shtrenjta). Aty është Brembate me kishën romaneske të shekullit XII; Bruntino me fermë të madhe kuajsh; dhe Fontanella me abacinë “Sant’Egidio”. Kjo kishë romaneske, ndërtimi i së cilës nisi më 1080, edhe sot mahnit studiuesit, sepse zëri këtu tingëllon më mirë se kudo tjetër. Pra, konsiderohet si vend ideal për koncerte dhe incizime.
E, vende të tilla intriguese, sheh kudo në provincë…
BASHKË, ME LEKËN E RI…
Por, një vend i vogël në “Citta Alta”, në një rrugë të ngushtë me gurë, si kudo këtu, për dy ditë ishte shndërruar në hapësirë unike për shkëmbim të përvojave mes shqiptarëve dhe italianëve. Në galerinë “Vaku Project Space”, më 17 mars Lekë Tasi ka hapur ekspozitën me piktura dhe grafika, të titulluar “Djaloshi Lekë Tasi”. Kuratori i ekspozitës, Alberto Ceresoli, në hapje citoi një thënie të Lekës: “Serioziteti është armik vrastar i fantazisë”! Pra, fjala është për guximin për të krijuar.
Kjo ekspozitë bëri bashkë shqiptarët dhe italianët e veçantë. Aty ishin çifti bashkëshortor, Jolanda dhe Qemal Xhomo. Jolanda është e bija e Tefë Pogut, një prej shqiptarëve më të pasur dikur në Shqipëri. Shtëpia e tij në Shkodër – jo larg galerisë së Adrian Pacit – e cila ishte uzurpuar nga komunistët e ku rrinte vetë Enver Hoxha kur vizitonte këtë qytet, është dëshmi për këtë. Tefë Pogu, që ndër të tjera kishte hapur edhe fabrikën e parë të sapunit në Shqipëri, ishte një filantrop i rrallë. Ai kishte ndihmuar të martoheshinn vajzat e familjeve të varfra që nuk kishin mundësi për pajë. Ndërkaq, profesori Qemal Xhomo, tash 90-vjeç, rrjedh nga familjet më të pasura të Shqipërisë së jugut. Me origjinë nga Leskoviku, ata kishin prona të mëdha, shumë nga të cilat u konfiskohen nga grekët e më vonë nga komunistët shqiptarë. Babai i Qemalit menjëherë pas Luftës së Parë Botërore mbaroi mjekësinë në Napoli. Qemali është një nga njohësit më të mirë – jo vetëm shqiptarë – të italishtes. Nëna e tij Klementina ishte italiane.
Edhe Lekë Tasi u konsiderua nga italianët si një nga folësit më të mirë të italishtes. Sepse, e kaluara e familjes së tij po ashtu ndërlidhet me Italinë: babai i tij Koço kishte studiuar drejtësinë në Romë, ndërsa xhaxhai Akile gazetarinë në Bolonjë. E, pedagogu i parë i Lekës në violonçel ishte italiani Walter Caletti.
Në ekspozitë ishte violinisti, dirigjenti dhe profesori i muzikës, Aleksandër Qyteza; dramaturgu e shkrimtari Stefan Çapaliku; skulptori Alfred Kedhi që pos studimeve në Universitetin e Arteve në Tiranë ka mbaruar edhe Akademinë prestigjioze “Brera” të Milanos; pastaj Dorina, Giacomo, Riccardo, Durimi, Albani…
Shumë e shumë drita, në një vend të vogël!
DURIMI…
Në Seriate të Bergamos, jeton edhe Durim Taçi, një vlerë e madhe e letrave shqipe. Ai ka botuar në shqip tri romane, dy përmbledhje me tregime dhe “Fjalorin e kritikës moderne”… Ka botuar në italisht romanin “Codice Canun” që ka shpërblim ndërkombëtar. E ka gati një roman tjetër në italisht, me titull pune “A&P”. Dhe, një tjetër në proces pune… Pos kësaj, mbi 50 kryevepra të letërsisë botërore ia ka sjellë lexuesit shqiptar, duke i përkthyer në shqip nga anglishtja dhe italishtja. Flet italisht, anglisht, rusisht, gjermanisht, ndërsa gjen kohë edhe për të kontribuar në organizatën “Orobicambiente Onlus”. Ai është model i intelektualit dhe qytetarit në Bergamo; i lidhjes së duhur edhe me vendin e origjinës.
Në Seriate, qyteti i tretë më i madh në provincë, pas Bergamos dhe Treviglios, bën dritë edhe një shqiptar. Këtu funksionon shoqata “Atis Sempre Con Noi” (Atisi, përgjithmonë me ne). Kjo shoqatë organizon gara sporti dhe aktivitete të shumta humanitare. Kohëve të fundit kanë dërguar mjete materiale në Madagaskarin e varfër, me të cilat u pajisën dhjetë ekipe me të mbathura, veshje dhe topa futbolli, duke ua mundësuar fëmijëve të varfër pjesëmarrjen në garat lokale.
Në këtë mënyrë të rinjtë italianë nderojnë kujtimin për mikun e tyre, Atis Taçin, i cili më 1 dhjetor 2011, në moshën 20-vjeçare humbi jetën në një aksident automobilistik. Ikja e tij nga kjo botë ka tronditur të gjithë që e kanë njohur. Për të ka shkruar ditorja më e madhe në provincë, “L’Eco di Bergamo”. Por, shokët nuk e harrojnë. Vazhdojnë të jenë pranë tij. Kujtimi për sportistin dhe studentin e mirë e përherë të buzëqeshur, vazhdon të jetojë.
Atisi ishte perëndi i kohëve të lashta. Thuhet se nuk jetoi më shumë se 20 vjet. Njihet si zoti i bimësisë, vdekja dhe ringjallja e të cilit shpërfaq frytet e Tokës: vdesin në dimër, për t’u ringjallur në pranverë…
Ndërkohë, Durimi po zhvillon një zhanër unik letërsie, që e quan mitobiografi. Sipas tij, biografia mbetet ne kuadrin personal, por miti si rrëfim e si strukturë i jep asaj një dimension më të gjerë.
“Mitobiografia është koncept që e kapërcen individualen, pa e asgjësuar atë”, thotë ai. “Fati personal, si mit, analizohet përmes mendimeve dhe përçohet tek të tjerët përmes fjalëve”.
Ai është duke punuar në romanin e tij të ri në italisht, në këtë zhanër, roman ky që po pritet që tani me kërshëri. Atisi do të jetë edhe aty.
Dhe, teksa ndodh endja nëpër kujtime, optimisti i përjetshëm, Lekë Tasi, nga Qyteti në Kodër kujton pjesë nga libri i tij “Grabjani rrëzë kodrave” – momente të 10 korrikut 1976: “Shpresa më vjen nganjëherë, ashtu pa e kërkuar, si një valë nga brenda që të qetëson dhe të thotë se nuk do të vazhdojë gjatë kjo punë. E dyta është për mbrëmjen. I jam mirënjohës këtij cikli të vogël lodhjeje dhe ripërtëritjeje prej 24 orësh. Ai më ndihmon të jetoj, ma thërmon shkëmbin që më është caktuar të mbaj”.
Stratiotët vazhdojnë t’i lënë gjurmët e tyre, nga Italia, me dashuri… /Telegrafi/