Telegrafi

Publikohet në Telegram audio-incizimi i rremë ndërmjet Hovenierit dhe Kurtit, eksperti Musliu: Ky është një falsifikim nga një profil serb

Në rrjetin rus Telegram është publikuar një audio-incizim i rremë i një “bisede” ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në këtë audio pretendohet se Kurti dhe Hovenier kanë shkëmbyer mospajtime rreth gjendjes në veri të Kosovës, të krijuar nga bandat kriminale serbe.

Pas publikimit, profili serb Bunt thekson se autenticiteti i këtij incizim nuk mund vërtetohet.

Për drejtorin e Institutit “Octopus” dhe ekspertin e sigurisë Agim Musliu, kjo “bisedë” është një falsifikim i bërë nga profilet serbe.

“Ky është një falsifikim! Profili serb Bunt, në kanalin rus Telegram, ka shpërndarë një bisedë të rreme telefonike mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier”, shkruan Musliu.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë apel që të mos të besohet gjithçka që publikohet në mediet sociale ose në aplikacionet tjera.

“Mos besoni gjithçka që lexoni – ose dëgjoni – që qarkullon në mediet sociale ose aplikacionet e mesazheve. Gjithmonë kontrolloni me një burim të besuar përpara se të ndani regjistrimet, videot ose imazhet potencialisht të rreme, nxitëse ose shpifëse”, thuhet në apel.

Po ashtu, politikani serb në Kosovë, Boban Bogdanoviq ka thënë se shërbimet sekrete serbe dhe ruse po bëjnë falsifikime për të diskredituar kryeministrin e Kosovës.

 

“Shërbimi sekret serb në bashkëpunim me shërbimet sekrete ruse bënë një tjetër në serinë e falsifikimeve të thella me buxhet të ulët që synojnë diskreditimin e kryeministrit të Kosovës. Kjo komedi duket se nuk ka fund”, potencon Bogdanoviq. /Telegrafi/