Cristiano Ronaldo është duke kërkuar një mundësi largimi nga Manchester Unitedi dhe tashmë mediat kanë konfirmuar se ai i ka bërë kërkesë klubit që t’ia mundësojë largimin nëse vjen ndonjë ofertë e pranueshme.
Superylli portugez ka edhe 12 muaj në kontratën e tij në Old Trafford, mirëpo dëshiron të mbetet në garë për trofetë e mëdha, ndërkohë që Djajtë e Kuq dhe Erik ten Hag akoma nuk mund t’ia plotësojnë këtë ambicie.
Derisa secili klub në botë do të dëshironte ta kishte në skuadër, nuk janë të shumtë ata që mund t’i plotësojnë kushtet financiare të 37-vjeçarit. Duke pasur këto në konsideratë, pyetja e qartë është: Ku do të përfundojë Ronaldo në fillim të sezonit 2022/2023?
Manchester United
Me 24 gola të shënuar në të gjitha garat në sezonin e kaluar derisa të tjerët në skuadër po vuanin, është e qartë se Djajtë e Kuq nuk janë të interesuar ta lejojnë largimin e një lojtari të nivelit të tij.
Sidoqoftë, është raportuar se ai i ka bërë kërkesë klubit që t’ia mundësojë largimin – sidomos për faktin se Unitedi nuk luan në Ligën e Kampionëve.
Chelsea
Një tjetër skuadër që kërkon qendërsulmues pas largimit të Romelu Lukakut drejt Interit në formë huazimi njëvjeçar.
Duke pasur parasysh lidhje e forta me Unitedin, do të ishte befasi kalimi i tij te një klub tjetër i Ligës Premier, mirëpo interesimi potencial ekziston.
Paris Saint-Germain
Një transferim që do t’i gëzonte tifozët e futbollit për t’i parë në një skuadër dy më të mirët e këtij sporti, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.
Me Neymarin që pritet të largohet nga Parc des Princes dhe ekzistimin e fondeve për ta realizuar cilin do transferim, kryeqyteti francez është destanacion potencial për CR7.
Real Madrid
Nëntë vitet e kaluara në Santiago Bernabeu (2009-2018) ishin më të suksesshmet në karrierën e superyllit, por edhe ndër periudhat më të suksesshme në histori të Los Blancos, derisa Cristiano theu çdo rekord.
Tifozët vazhdojnë të kenë dashuri për Ronaldon, megjithëse kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve ka në fazën e sulmit dyshen Karim Benzema dhe Vinicius Jr.
Bayern Munich
Me dëshirën e Robert Lewandowskit për t’u larguar, kampioni gjerman është lidhur me CR7, përkundër nënshkrimit me Sadio Mane.
Megjithatë, drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic, kur është pyetur nga një tifoz në lidhje me shkuarjen e portugezit në Allianz Arena, është përgjigjur shkurt: “JO”.
Roma
Prezenca e Jose Mourinhos në Stadio Olimpico mund t’i ndihmojë Romës të bëjë një nga transferimet më të mëdha, megjithëse Giallorossët nuk mund të jenë konkurrentë seriozë për nënshkrimin e tij për shkak të aspektit financiar dhe ambicieve të 37-vjeçarit, pasi është situatë e përafërt me atë te Unitedi.
Napoli
Arritja e tij në Napoli do të siguronte tifozeri të madhe, ngjashëm me atë që kishte legjenda Diego Maradona, por a mund që klubi italian t’i plotësojë ambiciet e Ronaldos: Të konkurrojë për trofe dhe t’ia japë pagën e majme?
Sporting Lisbon
Rikthimi në vendin ku nisi gjithçka do të ishte shumë emocionues, mirëpo kjo pritet të ndodhë kur futbollisti të vendosë të pensionohet. Sidoqoftë, ai nuk e ka në plan të ngadalësohet së paku derisa t’i kalojë të 40-tat.
Inter
Ronaldo e njeh futbollin italian falë kohës së kaluar te Juventusi (2018-2021), por a do të shkonte te rivali më i madh i Zonjës së Vjetër?
Me rikthimin e Lukaku dhe derisa ka në skuadër Lautaro Martinezin dhe ekziston mundësia e transferimit të Paulo Dybalas, gjasat janë minimale që të ndodhë kjo lëvizje.
MLS
Cristiano mund të jetë ngopur me futbollin evropian dhe mund të kërkojë dicka të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mund të bashkohej me legjendën Manchester Unitedit, David Beckham, te Inter Miami.
Janë edhe shumë klube të tjera amerikane që i duan shërbimet portugezit, duke qenë se emri i tij është një mundësi e madhe marketingu. Porse, ndoshta është akoma herët që të tërhiqet nga futbolli elitar.
Manchester City
Kalimi në Etihad Stadium duhej të ndodhte në verën e kaluar, mirëpo Ronaldo e refuzoi rivalin e Unitedit për t’u rikthyer në Old Trafford.
Te City do të plotësoheshin ambiciet e superyllit të futbollit, mirëpo Pep Guardiola tashmë e ka blerë Erling Haalandin dhe ka opsione të shumta në fazën e sulmit. /Telegrafi/