Telegrafi

Porto i zbulon 11 skuadrat që e kërkojnë Brahimin

Mesfushori algjerian, Yacine Brahimi është në prag të largimit nga kampionati portugez.

Anëtari i Portos ka shkëlqyer në dy vitet e fundit dhe ai është gati si duket për një klub dhe kampionat më të madh.

Ka qenë kampioni i shumëfishtë i Portugalisë që ka zbuluar se për shërbimet e Brahimit interesim kanë shfaqur 11 skuadra nga katër kampionate të ndryshme.

Brahimi në Angli kërkohet nga Arsenal, Manchester United, West Ham United dhe Manchester City.

Milan, Juventus dhe Napoli janë tri skuadrat italiane që e duan anësorin këmbëshpejtë.

Ndërkohë dy skuadra nga Spanja, Atletico Madrid dhe Sevilla si dhe dy të tjera nga Franca, Monaco dhe Marseille janë vënë pas tij.

26-vjeçari ka kontratë me kaltër e bardhët deri në vitin 2019, ndërsa klubi portugez i ka caktuar edhe shumë e largimit.

Ajo skuadër që e dëshiron ish-anëtarin e Rennes dhe Granada, duhet të paguajë rreth 40 milionë euro. /Telegrafi/