Paulo Dybala mund të largohet nga Juvetusi në afatin kalimtar veror, ndërsa për shërbimet e tij janë të interesuara disa prej klubeve kryesore evropiane.
Telegrafi jua sjell më poshtë pesë destiancionet më të mundshme të argjentinasit në rast se largohet nga Zonja e Vjetër:
5. Bayern Munich
Bayern Munichu ka nevojë për cilësi në fazën e sulmit, në mënyrë që të jetë konkurrent serioz në Ligën e Kampionëve. Largimi i Franck Ribery e Arjen Robben ka lënë hapësira për futbollistë të nivelit të lartë.
4. Manchester United
Janë disa pozita që duhen mbuluar në skuadrën e Manchester Unitedit dhe angazhimi i një sulmuesi që mund të luajë në pozita të ndryshme në fazën ofensive, mund t’u sjellë shumë dobi Djajve të Kuq. Megjithatë, mosprezenca në Ligën e Kampionëve mund t’ia ndërrojë mendjen 25-vjeçarit.
3. Liverpool
Redsat kanë një sulm të rrezikshëm, mirëpo Jurgen Klopp ka nevojë për një skuadër më të qëndrueshme për të konkurruar me Manchester Cityn për titullin e Ligës Premier në sezonin e ardhshëm.
2. Atletico Madrid
Antoine Griezmann do të largohet nga Atletico Madridi, ndërsa klubi spanjoll mund ta konsiderojë Dybalan si një prej opsioneve më të mira.
1. Barcelona
Camp Nou pritet të jetë destinacini i Griezmann, por Blaugranët mund të transferojnë një sulmues më të ri, kur kihet parasysh se Luis Suarez është 32 vjeçar dhe në dy sezonet e fundit ka pësuar rënie në formë.
Dybala vazhdimisht është etiketuar si zëvendësues i Lionel Messit te Argjentina. Superylli i Barcës do t’i mbushë 32 vjet në qershor, prandaj katalunasit mund ta transferojnë këtë verë, në mënyrë që në të ardhmen ta konsiderojnë zi zëvendësues të Messit. /Telegrafi/