Në pritje të 22 gushtit, datës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe më pastaj shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, drejtues e zyrtarë të partive politike tashmë kanë nisur debate dhe akuzat e ndërsjella.
Takimi i sotëm i liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga oponentë politikë veçmas të PDK-së, po shihet si një hap drejt një koalicioni parazgjedhor mes këtyre dy subjekteve politike.
Ishte, Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i cili e ka sulmuar ashpër Albin Kurti.
Sipas Ismailit, i cili aktualisht ushtron edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, Albin Kurti për të prekur pushtetin është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje, shkruan Telegrafi.
“E gjuante dhe e turpëronte me vezë në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e sulmonte me molotovë në shtëpinë e tij familjare. Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet ‘Profesorit’ deri në servilosje”, ka shkruar Ismaili, në një postim në Facebook.
Ndaj, këtij postimi të Ismailit, ka reaguar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka ka sugjeruar oponentët politikë që ta marrin me qetësi takimin e sotëm mes Mustafës dhe Kurtit, duke paralajmëruar se po vjen ‘Qeveria e shpresës”.
“Një takim, shumë panik. Merreni me qetësi, çuna, thjeshtë, po vjen Qeveria e shpresës”, ka shkruar ai.
Në debatet përmes rrjeteve sociale është përfshirë edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se PDK po i qet shqelmat e fundit.
“PDK po fundoset politikisht andaj prej dhimbjes së madhe që i ka kapluar, po qesin shqelmat e fundit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosjes është shpresa e vetme për vendin dhe qytetarët.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu i është kundërpërgjigjur deputetes së LVV-së Albulena Haxhiut e cila tha se në Kosovë janë dy pole në skenën politike, duke shtuar se është në duart e LDK-së të vendos cilit pol do t’i takojë.
Sipas saj është se vërtetë botëkuptimi politik në Kosovë është i ndarë në dy pole; në atë shtetndërtues dhe atë shtetmohues. Derisa shtoi se pajtohet me Albulenën, LDK duhet të vendos cilit botëkuptim i takon.
“Albulena Haxhiu sot e tha një të vërtetë dhe në mënyrën më bukfale të mundshme. Ajo, ndoshta e para nga Vetëvendosje e zbuloi si e kuptojnë dhe perceptojne relevancën politike në Kosovë! Ajo tha sot se kjo hapësirë politike është e ndarë në dy pole, pra në dy forca relevante politike PDK dhe VV dhe se, sipas saj, të gjitha subjektet tjera politike janë vetëm zgjatim i njërit apo tjetrit pol politik.
Kështu, Albulena i bëri thirrje publike LDK-së (e cila trumpeton se është faktori kryesor dhe përcaktues politik në Kosovë) të bëhet zgjatim i polit të quajtur Vetëvendosje, duke e konsideruar, LDK si të vetme, të pa relevancë politike.
Tekefundit kjo le të mbetet në gjykimin e LDK-së.
Ajo që dua të them është se vërtetë botëkuptimi politik në Kosovë është i ndarë në dy pole; në atë shtetndërtues dhe atë shtetmohues. Dhe, pajtohem me Albulenën, LDK duhet të vendos cilit botëkuptim i takon.
Dhe, po ashtu, sërish pajtohem me Albulenën se ky poli tjetër (shtetndërtues) identifikohet me PDK-në”, ka shkruar Deliu-Kodra.
E, në tërë këtë luftë politike nuk ka mbetur jashtë loje Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, shkruan Telegrafi.
Matoshin e ka provokuar postimi i zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, kur thotë se “po vie Qeveria e Shpresës”.
Matoshi përmes një postimi në Facbebook, ia ka përkujtuar se në kohën e Qeverisë Mustafa, në vitin 2014, 120 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën dhe ndodhi tragjedia në lumin Tisa.
“2019: Besian Xh. Mustafa po thotë se po vie Qeveria e Shpresës.
Me Sh- të madhe të shtypit!
2014: Lexoni diçka Retro për Shpresën, me Sh-të madhe të shqipshkrimit!!!
120 mijë qytetarë të Kosovës braktisën vendin ilegalisht gjatë dhjetorit.
Ndodhi tragjedia në lumin Tisa.
Kryeministri i atëhershëm Profesor Isa Mustafa thoshte se emigrantët kishin telefona të mençur!???
No comment!” (sic.), ka shkruar Matoshi.
Ndryshe, lideri LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i VV-së, Albin Kurti janë takuar sot në Prishtinë, ku sipas tyre kanë biseduar për situatën politike në vend, gjendjen e rëndë ekomomike dhe nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit. /Telegrafi/