Site icon Telegrafi

Nga Muriqi te Ajeti, Berisha, Topalli, Kumbulla e Kastrati, transferimet e bujshme të futbollistëve shqiptarë në vitin 2020

Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për gjithë botën, por që ka ndikuar edhe në lojën më magjike futbollin.

Megjithatë gjatë këtij viti disa nga futbollistët shqiptarë kanë shpërthyer nëpër klubet e tyre dhe kanë bërë hapa të mëdhenj në karrierë.

Dhjetëra futbollistë shqiptarë kanë ndërruar klube gjatë këtij viti, disa nga ta kanë arritur të nënshkruajnë kontrata të milionëshe dhe me klube të mëdha.

Padyshim që transferimi më i bujshëm ka qenë ai i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla i cili kaloi si huazim për dy vite te Roma.

Gjiganti italian pagoi tre milionë euro për huazimin e shqiptarit te Verona dhe ka të drejtën e blerjes për 13,5 milionë euro të tjera, por që Giallorosët dërguan te Verona edhe dy futbollistë të tjerë.

Nuk po largohemi nga kryeqyteti italian, ku skuadra tjetër e Romës, Lazio bëri një goditje të madhe duke e transferuar Vedat Muriqin nga Fenerbahce.

Sulmuesi kosovar i kushtoi Lazios 18,5 milionë euro, por kjo shumë pritet të rritet mbi 20 milionë me disa bonuse.

Transferim tjetër i madh padyshim që është edhe ai i Amir Rrahmanit, me mbrojtësin e Kosovës që bëri hapin e madh në karrierë duke u larguar nga Verona në drejtim të Napolit.

26-vjeçari iu bashkua Napolit në janar të vitit 2020 për 14,2 milionë euro, por që kaloi gjashtë muaj huazim te Verona para se të ribashkohet me klubin napolitan në verë.

Hap të madh padyshim që ka bërë edhe mbrojtësi tjetër i Dardanëve, Mërgim Vojvoda.

Mbrojtësi i djathtë u largua nga Standard Liege për tu transferuar te Torino në Serie A për 5,5 milionë euro.

Në Serie A shkoi edhe mbrojtësi tjetër shqiptar, Ardian Ismajli që nënshkroi me Spezian pas shkëlqimit disa vjeçar te Hajduku i Splitit.

Lirim Kastrati ndërroi skuadër gjatë vitit 2020, por jo edhe qytet, pasi sulmuesi këmbëshpejtë u largua nga Lokomotiva për t’iu bashkuar gjigantit kroat Dinamo Zagreb.

Nga Lokomotiva e Zagrebit u largua edhe Myrto Uzuni që gjatë verës së vitit 2020 kaloi tek gjiganti hungarez Ferencvaros.

Ndërkohë në Ligue 1 u transferuan dy futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha e Bersant Celina.

Valon Berisha ishte i huazuar te Fortuna Dusseldorf, por në fund u largua nga Lazio për tu bashkuar me Stade Reims.

Ndërkohë mesfushori tjetër kosovar, Bersant Celina u largua nga futbolli anglez pas disa viteve për t’iu bashkuar ekipit francez Dijon për tre milionë euro.

E padyshim që vend në këtë listë zë edhe transferimi më i madh nga elita e futbollit kosovar, ai i Jetmir Topallit që u largua nga Ballkani për të nënshkruar me skuadrën elitare të Turqisë, Yeni Malatyaspor.

Më poshtë keni disa nga transferimet e bujshme të futbollistëve shqiptarë gjatë vitit 2020. /Telegrafi/

Marash Kumbulla Verona – Roma

Albian Ajeti West Ham United – Celtic

Amir Rrahmani Verona – Napoli

Vedat Muriqi Fenerbahce – Lazio

Florent Hadergjonaj Huddersfield – Kasimpasa

Mërgim Vojvoda Standard – Torino

Ardian Ismajli Hajduk – Spezia

Myrto Uzuni Lokomotiva Zagreb – Ferencvaros

Fidan Aliti Kalmar – Zurich

Pajtim Kasami Sion – Basel

Edon Zhegrova Genk – Basel

Blerim Xhemaili Shenzhen – Zurich

Lirim Kastrati Lokomotiva Zagreb – Dinamo Zagreb

Atdhe Nuhiu Sheffield W – APOEL

Bersant Celina Swansea – Dijon

Valon Berisha Lazio – Reims

Arijanet Muric Man City – Girona

Klaus Gjasula Paderborn – Hamburg

Armando Broja Chelsea – Vitesse

Jetmir Topalli Ballkani – Yeni Malatyaspor

Idriz Voca Luzern – Angaragucu

Exit mobile version