Site icon Telegrafi

Nëpër statistikat e çmendura në karrierën historike të Cristiano Ronaldos

Cristiano Ronaldo dhe golat janë sinonim, ndërsa superylli portugez është një pikë referimi për aspiratat e çdo futbollisti që dëshiron ta realizojë ëndrrën e madhe.

Përgjatë karrierës prej më shumë se dy dekadash, sulmuesi i Al Nassr ka thyer rekorde kudo ku ka luajtur dhe vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë edhe në moshën 38 vjeçare.

Derisa CR7 do të mbahet mend në radhë të parë për sukseset e arritura me Manchester Unitedin dhe Real Madridin, ai po ashtu ka shkëlqyer edhe duke luajtur për Juventusin dhe Sportingun e Lisbonës, dhe ka nisur ta bëjë të njëjtën edhe në Arabinë Saudite.

Lexo po ashtu Ronaldo rikthehet me dy gola për Portugalinë, njëri i jashtëzakonshëm

Por, sa gola i ka shënuar Cristiano Ronaldo? T’i hedhim një shikim:

Golat e Ronaldos te Sportingu

(Foto: Getty)

Anësori debutoi për Sportingun në vitin 2002 si 17 vjeçar, por askush nuk e dinte se ai do të bëhej njëri nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave.

Cristiano kaloi vetëm një sezon në ekipin senior duke treguar cilësi të tjera, por i shënoi vetëm pesë gola në 31 ndeshje të zhvilluara.

Statistikat e CR7 te Sportingu (Foto: Goal)

Sidoqoftë, kjo mjaftoi që Sir Alex Ferguson ta shihte potencialin e tij dhe ta transferonte në Old Trafford.

Golat e Cristianos për Manchester Unitedin

(Foto: Getty)

Ronaldo ishte frymëzim për të gjithë në qëndrimin e tij të parë me Djajtë e Kuq kur u transferua si 18 vjeçar në vitin 2003. Asokohe, ai njihej më shumë për dhuntinë dhe driblimet e tij dhe nuk njihej shumë si një makinë golashënuese.

Nga viti 2006 në vijim, CR7 u shndërrua në golashënuesin që njohim. Ishte golashënuesi më mirë i Unitedit në tri sezonet e fundit të qëndrimit të parë në Old Trafford, e fitoi Topin e Artë në vitin 2008 dhe një vit më pas u transferua te Real Madridi, asokohe si futbollisti më i shtrenjtë në histori.

Dymbëdhjetë vite më pas, ai u rikthye te Djajtë e Kuq, por si një veteran në fundin e mbretërimit të tij. Porse, përkundër moshës, ishte sërish golashënuesi më i mirë i skuadrës në edicionin 2021/2022 me 24 gola të realizuar.

Golat e Ronaldos për Manchester Unitedin në dy qëndrimet e tij (Foto: Goal)

Në 346 ndeshje të zhvilluara në dy periudhat e qëndrimit në Old Trafford, CR7 i ka realizuar 145 gola.

Lexo po ashtu 'Ronaldo mori atë që deshi, por ai mbetet një legjendë e Unitedit' – Rooney i vendosur në qëndrimin e tij

Golat e Ronaldos te Real Madridi

(Foto: Getty)

Derisa transferimet e Neymar dhe Paul Pogba ndryshuan dinamikën transferuese, kalimi i Ronaldos te Real Madridi për asokohe çmim rekord, e ndryshoi futbollin në tërësi.

Qëndrimi i tij në Santiago Bernabeu tërhoqi fokusin drejt La Ligas dhe futbollit në përgjithësi. Konsiderohet si periudha e artë në futbollin modern, kur u definua rivaliteti i madhe me superyllin e atëhershëm të Barcelonës, Lionel Messi.

Nevojiten shumë rreshta për t’i renditur sukseset e mëdha të CR7 me fanellën e Los Blancos. Katër trofe të Ligës së Kampionëve, katër Topa të Artë, rekorde të panumërta, trofe të tjera të shumta.

Golashënuesi më i mirë në histori të Realit, golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve, një makinë e vërtetë golashënuese.

Makineria golashënuese te Real Madridi (Foto: Goal)

Te Mbretërit, ai shënoi më shumë gola (450) sesa ndeshje të zhvilluara (438).

Golat e CR7 për Juventusin

(Foto: Goal)

Kalimi i superyllit portugez te Juventusi në vitin 2018 ishte befasues për shumëkënd, mirëpo seria e tij golashënuese vazhdoi.

Edhe pse trofetë te Bianconerët ia nisën të pakoheshin, derisa nuk u arrit qëllimi i fitimit të Ligës së Kampionëve, Ronaldo vazhdoi të ishte vrastar para portës.

Ai vazhdoi të thyente rekorde, ndërsa në sezonin e atij të tretë ishte golashënuesi më i mirë në Serie A me 29 gola.

Golat e Cristianos te Juventusi (Foto: Goal)

Gjatë qëndrimit te Zonja e Vjetër, 38-vjeçari shënoi 101 gola në 134 ndeshje të zhvilluara.

Golat e Ronaldos për Al Nassr

(Foto: Getty)

Kalimi i CR7 në Arabinë Saudite bëri bujë të madhe pas ndërprerjes së kontratës me Manchester Unitedin duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, në një klub ku merr pagë marramendëse prej 200 milionë euro në vit.

Deri më tani, Ronaldo i ka zhvilluar 11 ndeshje për klubin saudit dhe ka shënuar 11 gola.

Lexo po ashtu Ronaldo theu disa rekorde nga ndeshja e fundit ndaj Lihtenshtajnit

Golat e Ronaldos për Portugalinë

(Foto: Getty)

Sikurse forma në klube, Cristiano e replikoi edhe te ekipi përfaqësues. Ai ka vënë standarde të reja te Portugalia duke u bërë edhe golashënuesi më i mirë në histori të përfaqësueseve.

Golat e tij i ndihmuan Portugalisë që ta fitonte Kampionatin Evropian në vitin 2016 dhe Ligën e Kombeve në vitin 2019.

Këtë vit, ai u rikthye pas largimit zhgënjyes në Kampionatin Botëror dhe menjëherë filloi të shënonte gola, ndërsa përkundër moshës, mund ta shohim në një tjetër turne të madh (në Euro 2024).

Golat e CR7 për ekipin përfaqësues (Foto: Goal)

Në 198 ndeshje të zhvilluara me ekipin përfaqësues, CR7 ka shënuar rekord prej 122 golash.

/Telegrafi/

Exit mobile version