Site icon Telegrafi

Në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Belgjikë 36-vjeçari nga Shqipëria

Një 36-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Belgjikë, gjatë një bashkëpunimi të policisë shqiptare dhe belge.

Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, 36-vjeçari M.P. nga Lezha ishte dënuar nga Gjykata e Shkodrës me 18 vjet burg, prej të cilave i kanë ngelur 10 vjet e 5 muaj.

Arsyeja e dënimit është për vrasje me dashje, prodhim e shitje droge, prodhim e shitje armësh.

M.P. është dënuar edhe nga Gjykata e Tiranës, me 3 vjet e 4 muaj burg, për prodhim e shitje droge.

I arrestuari përdorte një pasaportë të falsifikuar bullgare, me qëllim që policia të mos e identifikonte.

Bashkëpunimi është bërë nga FAST Albania dhe FAST Belgjika, ndërsa Interpoli i Tiranës dhe Belgjikës po bashkëpunojnë që këta shtetas ta ekstradojnë në Shqipëri. /Telegrafi/

Exit mobile version