Paris Saint-Germain ka qenë shumë aktiv në këtë afat kalimtar të verës, duke kryer transferime të mëdha, por shumica nga to ishin falas dhe kulmi ishte afrimi i Lionel Messit.
Klubi francez ka bërë pesë transferime të mëdha në afatin kalimtar të verës, duke lënë në hije të gjitha klubet evropiane.
Georginio Wijnaldum, Sergio Ramos, Gianlugi Donnarumma dhe së fundmi Messi janë transferuar në Parc des Princes si lojtar të lirë.
I vetmi i blerë këtë verë është Achraf Hakimi nga Interi për 60 milionë euro dhe blerja e tij ka përfunduar si e pesta më e shtrenjta në histori.
Por, kush janë dhjetë blerjet më të mëdha të PSG-së në histori të klubit?
Faqja e njohur Sportskeeda ka përpiluar një listë me dhjetë lojtarët më të shtrenjtë, ndërsa Telegrafi ua sjell atë më poshtë.
Neymar është transferimi rekord botëror me 222 milionë euro dhe po ky transferim gjendet si më i shtrenjti në histori të klubit francez.
Pas Neymarit në vendin e dytë renditet Kylian Mbappe me 145 milionë euro, ndërsa podiumi plotësohet me Edinson Cavanin, i cili u ble për 64.50 milionë euro.
Në vendin e katërt renditet blerja e Angel Di Maria me 63 milionë euro, Hakimi i pesti me 60 milionë euro, ndersa Mauro Icardi i gjashti me 50 milionë.
Vendi i shtatë i takon David Luizit që iu ka kushtuar 49.50 milionë euro, Thiago Silva i teti dhe Javier Pastore i nënti kanë kushtuar nga 42 milionë euro dhe i dhjeti Lucas Moura 40 milionë euro. /Telegrafi/