Reagimi i kryeministrit Albin Kurti ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me privatizimet, pezullimi i grevës dhe protestës së transportuesve të udhëtarëve dhe emërimi i ministrave të dikastereve përkatëse, ishin ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë.
Qysh të fillim të javës, me 67 vota për dhe 30 kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e Qeverisë së re që do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Në përbërjen e re të Qeverisë, nga 15 ministri, pesë do të janë të lidhura drejtpërdrejt me dikasterin e ekonomisë, shkruan Telegrafi.
Në krye të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është emëruar Hekuran Murati, ndërsa Rozeta Hajdari është vendosur ta drejtor Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Hajdari në Qeverinë Kurti I kishte qenë ministre e po të njëjtit dikaster.
Ministrinë e Ekonomisë, do ta drejtoj Artane Rizvanolli, atë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do ta udhëheq Liburn Aliu, ndërsa Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të menaxhohet nga Faton Peci.
Një nga ngjarjet kryesore të javës ishte edhe reagimi i kryeministrit Albin Kurti ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kurti me anë të një letre që i ka dërguar kryetarit të bordit të drejtorëve të AKP-së, Bajram Zejnullahu anëtarëve të këtij bordi dhe drejtorit menaxhues, Valon Tolajt ka kërkuar që të mos marrin vendime që kanë të bëjnë me privatizimin.
Kurti në letrën që kishte siguruar Telegrafi, shkruhet se duhet të pezullohet çdo veprim që ka të bëjë me tjetërsimin apo çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore.
“Kërkoj nga Agjencia Kosova e Privatizimit (AKP) që të pezulloni deri në komunikimin tonë të ardhmen çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tender publik. Po ashtu, kërkoj që të pezulloni çdo vendimmarrje te ndërmarrjet shoqërore që janë të privatizuara në kushte e që janë akoma nën administrimin e AKP-së”, ka kërkuar Kurti.
Po ashtu, në një dokument tjetër të siguruar nga Telegrafi, bordi i AKP-së në mbledhjen e mbajtur më 25 mars, në rend të ditës kishte shitjen e aseteve në likuidim përmes të tenderit publik dhe shitjen përmes negocimit të disa aseteve.
“Shitjet e aseteve në likuidim përmes tenderit publik dhe shitjet përmes negocimit direkt. Raportet Rekomanduese të Njësisë së Negocimit Direkt do të paraqiten për shqyrtim dhe miratim nga Valon Tolaj dhe raportet Përfundimtare të Njësisë së Negocimit Direkt do të paraqiten për shqyrtim dhe miratim nga Valon Tolaj”, thuhet në pikën e 6 dhe 7 të këtij rendi dite.
Në dokument gjithashtu thuhet se ka çështje të tjera që kanë të bëjnë me aktivitetet e AKP-së.
Gjatë kësaj jave, gjithashtu Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve kishte pezulluar përkohësisht grevën, ku sipas tyre ishte bërë në shenjë solidarizimi për qytetarët nga moti ftohtë.
Kryetari i SHTU-së, Ruzhdi Kurtishaj kishte theksuar se pezullimi i grevës dhe protestës nuk do të thotë heqja dorë nga kërkesat e tyre.
Nga lajmet botërore që karakterizuan ekonominë gjatë javës, ishte bllokimi i Kanalit të Suezit nga anija 200 mijë tonëshe e kompanisë Ever Given.
Bllokimi i këtij kanali, ka ndaluar kalimin e shumë anijeve me mallra që kapin vlerën e 9.5 miliardë dollarëve në ditë – përfshirë këtu ushqim e naftë – duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në ekonominë botërore.
E efektet e këtij problemi kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregun botërorë, duke bërë që çmimi i naftës të ngritët për 6 për qind.
Mirëpo, humbje do të jenë më të mëdha nëse nuk arrijnë ta largojnë anijen dhe të rifillojë qarkullimi, apo më mirë trafiku ujor.
Ekskavatorë të shumtë po mundohen të gërmojnë dhe hapësirën ta mbushin me ujë – ku pikërisht ka ngecur anije transportuese. Shumë anije tjera janë duke u munduar ta tërheqin për ta futur në ujëra të thella. /Telegrafi/