Tre persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në një autobus në Gllogjan të Deçanit i cili po barte nxënës.
Ngjarjen tragjike e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri”, tha Nikçi për Telegrafin.
“Një është i plagosur. Aq sa kemi informacioni i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë”, tha Nikçi.
Autobusi po qarkullonte në relacionin Gjakovë – Deçan në kohën kur ndodhi gjuajtja me armë.
Nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes.
Po ashtu, drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj ka thënë se dy të vdekur janë nxënës të moshës së re.
“Dy janë të vdekur me armë zjarri, janë nxënës të moshës së re, njëri është i plagosur e në gjendje kome”, tha shkurtimisht Dreshaj për Kallxo.com.
Telegrafi mëson se një tjetër person që ka mbetur i vrarë është shoferi i autobusit drejt të cilit u gjuajt me armë zjarri.
Deri më tani nuk dihet se sa persona gjithsej janë lënduar.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selman Berisha ka thënë për RTV Dukagjinin se të vdekur janë dy nxënës, një vajzë e një djalë, e po ashtu edhe shoferi i autobusit.
“Rreth 19:35 minuta në QKMF, në repartin e urgjencës kanë ardhur tre të plagosur ku ju kemi ofruar ndihmën e parë dhe i kemi referuar në Spitalin e Pejës. Më vonë na është kërkuar që mjeku të shkojë në vendin e ngjarjes për të konfirmuar vdekjen e një personi. Të vdekur kanë mbetur një vajzë dhe një djalë të rinj dhe shoferi i autobusit në ngjarjes. Tre që janë referuar në Pejë kanë qenë të rinj, dy prej të cilëve kanë vdekur”, tha Berisha. /Telegrafi/
Për këtë ngjarje tragjike kanë reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj e të tjerë politikan kosovar.
Osmani ka reaguar për sulmin me armë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit, ku të vdekur mbetën dy nxënës dhe shoferi i autobusit, ndërkaq një tjetër është plagosur.
Osmani përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që sa më shpejt autorët të sillen para drejtësisë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar që sa më parë organet e rendit të zbulojnë autorët e krimit të rëndë në Gllogjan të Deçanit, ku si pasojë e gjuajtjes me armë të zjarrit, tre persona kanë humbur jetën, dy prej të cilëve nxënës.
Konjufca përmes një postimi në Facebook, ka thënë se autorët e krimit duhet të sillen sa më shpejt para drejtësisë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se është trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës.
“Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne”, ka shkruar Haradianj, në Facebook.
Ramosaj ka thënës se ndjehet i tronditur dhe i trishtuar nga sulmi kriminal në Gllogjan, ku kanë humbur jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre, bashkëndjejmë me ju në këto momente të rënda për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e Ramosjat, transmeton Telegrafi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se është trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës.
“Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne”, ka shkruar Haradianj, në Facebook.