Mbi 30 shkolla profesionale publike e private dhe kompani për dy ditë kanë prezantuar trajnimet në kuadër të Samitit për Arsim dhe Aftësim Profesional “VET Samit 2023”.
Burbuqe Godancit nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, thotë se në kuadër të samitit janë prezantuar disa nga trajnimet që ofron SCAAK.
“Në këtë samit, ne po i prezantojmë të gjitha trajnimet dhe certifikimet të cilat SCAAK-u i organizon që 20 vite. Vijmë me një risi, e që është një trajnim për përcaktimin e kostos së prodhimit dhe është i pari i këtij lloji e më specifik për veprimtaritë prodhuese, ku të gjithë të rinjtë kanë mundësi të trajnohen se si të menaxhojnë kostot e prodhimit në përgjithësi”, ka treguar Godanci.
“Shoqata si gjithmonë i ofron trajnimet në fushën e kontabilitetit, auditimit si dhe auditimin e brendshëm. Po ashtu, ofrojmë edhe disa specializime në forenzikë financiare, si dhe ekspertë tatimor”, shtoi ajo.
Kurse, Florent Selimi nga Bonevet tregon se janë prezantuar disa punime të bëra me laser, CNC dhe 3D printim.
“Bonevet si fondacion është në disa qendra të Kosovës. Te kjo pjesa e samitit jemi duke prezantuar disa punime të bëra me laser, CNC dhe 3D printim”, tregon Selimi.
Egzon Musmurati nga Floil ka prezantuar se gjendjen e vajrave, si ai i rafinuar apo i parafinuar.
“Këtu e bëmë analizën e vajit të rafinuar dhe të parafinuar. Vaji i rafinuar për të kaluar në final i nevojitën 24 orë. Ne e përcjellim vajin non-stop, ku siç u pa gjendja e vajrave ke nga 0.06 deri në 1, që është i gatshëm për shërbim. Rafineria e vajit shërben për pastrimin e tij, siç po shihet ngjyra, pra në të turbullt në të pastër”, prezantoi Musmurati.
Ndërsa, Shqipe Haxhiaj nga Qumështorja Vita shprehet se pjesëmarrësve i është dhënë informacioni i duhur.
“Ne në këtë samit po bëjmë demonstrimin e qumështit dhe mikroorganizmave në qumësht. Shpresojmë që pjesëmarrësve do t’i japim informacionin e duhur”, shprehet Haxhiaj.
Në fund, Mentor Kryeziu nga Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, është shprehur se në kuadër të këtij samiti pritet të krijohen bashkëpunimet me biznese në fushën e trajnimeve.
“Qendra ka arritur të krijoj bashkëpunime me biznese dhe sigurisht që nga ky samit presim të krijojmë bashkëpunime në fushën e trajnimeve, që ne të kemi mundësi t’i përdorim në tregun e punës”, ka përfunduar Kryeziu.
Ky edicion është mundësuar nga USAID Kosovo, IREX, Kosovo Compete, Kosovo Export Network, LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency (LuxDev), Enhancing Youth Employment (EYE Project) – projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), GIZ Kosovo, Kosovo Challenge Fund dhe Komuna e Prishtinës. /Telegrafi/