Telegrafi

Kalkulatori i Ligës së Kampionëve: Si është situata dhe çfarë iu duhet klubeve në ndeshjet e fundit të grupeve për të siguruar kualifikimin

Vetëm nëntë nga 16 vendet në dispozicion për fazat e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve janë plotësuar përpara ndeshjeve të fundit të grupeve.

Pasi nëntë skuadra kanë siguruar kalimin tutje, kjo ka lënë shtatë vende të tjera për t’u kapur në ndeshjet e gjashta të grupeve.

Real Madrid, Atletico Madrid, Inter, Manchester United, Paris Saint-Germain janë disa nga klubet e mëdha që synojnë të sigurojnë kualifikimin për në 16-tën e fundit.

Gazeta Marca ka përpiluar situatën e secilit grup dhe çfarë kanë nevojë ekipet për të kaluar tutje, ndërsa Telegrafi ua sjell më poshtë.

Grupi A

Ndërsa Bayern Munich do të kalojë si fitues i grupit, Atletico Madridi nuk është ende i sigurt për vendin e tyre në raundin tjetër. Ekipi i Diego Simeones duhet të shmangë humbjen ndaj RB Salzburg në ndeshjen e gjashtë për të kaluar tutje.

Grupi B

Askush nuk është kualifikuar dhe askush nuk është eliminuar në Grupin B deri më tani, duke e bërë atë ndoshta më të vështirin për të bërë parashikime.
Real Madridi do të kalojë në fazat e eliminimit nëse ata mundin Borussia Monchengladbach në Valdebebas, ndërsa Interi do t’i bashkohej në rast fitoreje ndaj Shakhtarit.

Grupi C

Me Manchester Cityn dhe Porton tashmë në vendin e parë dhe të dytë respektivisht, vetëm vendi i Ligës së Evropës është i lirë për t’u kapur midis Olympiacos dhe Marseille në ndeshjen e fundit të grupeve.

Grupi D

Liverpooli u kualifikua si fitues i grupit me fitoren e tyre ndaj Ajaxit në ndeshjen e pestë, ndërsa ekipi holandez duhet të mundur Atalantan në ndeshjen e gjashtë në mënyrë që të bashkohet me ekipin e Jurgen Klopp në raundin e 16-tës.

Grupi E

Asgjë nuk mund të ndryshojë në këtë grup në ndeshjen e gjashtë. Chelsea do të përparojë si fitues i grupit, Sevilla do të bashkohet me ta dhe Krasnodar do të luajë në Ligën e Evropës.

Grupi F

Borussia Dortmund, i cili tashmë është kualifikuar, do të kryesojë grupin nëse mundin Zenit në ndeshjen e gjashtë. Lazio thjesht duhet të shmangë humbjen ndaj Club Brugge për të kaluar tutje.

Grupi G

Pavarësisht se ka një rekord prej 100 për qind, Barcelona nuk e ka të garantuar vendin e parë në Grupin G. Juventus do të kualifikohet si fitues i grupit nëse fiton me një diferencë prej tre golash në Camp Nou në ndeshjen e gjashtë.
As Dinamo Kiev dhe as Ferencvaros nuk mund të kualifikohen për në fazën tjetër, por ata do të përballen mes vete për ndeshjen e vlefshme që i dërgon në Ligën e Evropës.

Grupi H

Manchester United, Paris Saint-Germain dhe RB Leipzig shkojnë të gjithë në ndeshjet e gjashta me pikë të njëjta.
United dhe PSG kanë nevojë për nga vetëm një pikë secili kundër Leipzig dhe Istanbul Basaksehir për t’u kualifikuar.
Nëse Leipzig mund Djajtë e Kuq, ata do të përparojnë së bashku me PSG-në.

/Telegrafi/