Telegrafi

Interi nënshtron Milanin dhe kualifikohet në finale të Kupës së Italisë

(Foto: Twitter/Inter)

Interi është kualifikuar në finale të Kupës së Italisë, pasi e ka mposhtur Milanin (3-0) në sfidën kthyese gjysmëfinale në Giuseppe Meazza, duke qenë se takimi i parë ishte mbyllur pa gola.

Sulmuesi argjentinas, Lautaro Martinez, ishte protagonisti kryesor në fraksionin e parë, në të cilin arriti ta tundë rrjetën dy herë.

Zhvillohej minuta e katërt e takimit kur pas një harkimi nga Matteo Darmian, ‘numri 10’ i Nerazzurrëve goditi me vole për të realizuar një gol të bukur.

(Foto: Twitter/Inter)

24-vjeçari arriti të shmangë kurthin e pozitës jashtë loje duke pranuar një top nga Joaquin Correa dhe duke e paraboluar portierin Mike Maignan (40’) për epërsinë e dyfishtë.

Në gjysmën e dytë, Rossonerët u përpoqën të riktheheshin në lojë në përpjekje për ta ngushtuar rezultatin.

Ismael Bennacer arriti ta mposhtte portierin Samir Handanovic, mirëpo gjyqtari dha shenjë për konsultimin e VAR-it dhe më pas u vendos se kishte pozitë jashtë loje në ndërtimin e aksionit, ashtu që goli u anulua.

(Foto: Twitter/Inter)

Në minutat e mbetura Milani nuk arriti t’i ndryshonte gjërat, për më shumë e pranoi edhe golin e tretë, të cilin e realizoi Robin Gosens pas asistimit nga Marcelo Brozovic (82’).

Interi në finale luan me fituesin e duelit ndërmjet Juventusit dhe Fiorentinas dhe gjasat janë të mëdha që më 11 maj në Stadio Olimpico të Romës të shohim një Derby d’Italia. /Telegrafi/