Promovuesi Eddie Hearn i ka thënë Tyson Furyt se mund të ndeshet me Anthony Joshuan më 13 prill 2019 në Wembley, nëse tifozët e dëshirojnë këtë meç.
Kampioni i unifikuar britanik e ka të caktuar datën e duelit, mirëpo akoma nuk është vendosur për emrin e kundërshtarit, derisa po qarkullojnë shumë sfidues të mundshëm.
Derisa Dillian Whyte është ndër favoritët për t’u përballur me kampionin e IBF, WBA, WBO dhe IBO, Hearn ka thënë se mundësinë për t’u përballur e ka edhe britaniku tjetër, Fury.
“Tyson Fury, a e do t’i meçin? Mund ta kesh duelin më 13 prill. Ti i di kushtet. Nëse beson se mund të ndeshesh me Anthony Joshuan, le ta realizojmë më 13 prill”.
“Ai (Fury) e di se sa para mund të fitojë për këtë duel”, ka thënë Hearn në një prononcim për iFL TV.
Njëherësh, promovuesi i njohur e ripërsëriti ofertën e tij për kampionin e WBC-së, Deontay Wilder, duke thënë se edhe amerikani mund të ndeshet me AJ në pranverë.
“Wilder, Fury, Dillian, që të tre e kanë mundësinë të ndeshen me Joshuan më 13 prill. Njëri prej tyre. Cilido që vjen dhe i jepet mundësia, do të luftojë për titujt e kampionit botëror, IBF, WBO, WBA dhe IBO”, ka shtuar Hearn. /Telegrafi/