Site icon Telegrafi

Bislimi e Petkoviq përballë njëri-tjetrit, dinari diskutohet sërish javën e ardhshme në Bruksel

Çështja e dinarit pritet që sërish t’i ulë në një tryezë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimin e Petar Petkoviqin, gjatë javës së ardhshme në Bruksel.

Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga Zyra për media e Bashkimit Evropian.

“Lehtësuesi i BE-së planifikon të thërrasë një takim tjetër javën e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar një zgjidhje të përkohshme të çështjeve të shkaktuara nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës, me kusht që palët të jenë të gatshme të angazhohen në bazë të ideve të paraqitura nga ndërmjetësi i BE-së”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Tutje Bashkimi Evropian ka thënë se data e takimit do të bëhet e ditur pasi të konfirmohet pjesëmarrja në takim.

Lexo po ashtu Lajçak jep detaje nga takimi për dinarin në Bruksel, ku Kosova u pajtua me propozimin e tij

Takimi i fundit në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve u mbajt më 4 prill.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kanë pranuar propozimin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, mirëpo pala serbe s’ka qenë e gatshme për kompromis.

Bislimi në një deklaratë pas takimit me Petkoviqin, të cilën e ka publikuar Qeveria e Kosovës, ka thënë se “propozimet e palës kosovare për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur”.

Ndërkaq emisari i BE-së, Miroslav Lajçak pas takimit të 4 prillit u shpreh se ia dolën të përafrojnë disa qëndrime nga propozimet e palëve.

“Prita një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për një zgjidhje të përkohshme për personat që u preken nga vendimi i BQK-së. Ne ia dolëm të përafrojmë disa qëndrime nga propozimet e palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi Lajçak në platformën “X”.

Rregullorja e re e BQK-së ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti, ku përcakton euron si valutë të vetme zyrtare në Kosovë, gjë e cila ka ngritur reagime edhe nga faktori ndërkombëtar, duke kërkuar që të shtyhet zbatimi i këtij vendimi. /Telegrafi/

Exit mobile version