Ka dështuar edhe raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë. Asnjë nga grupet parlamentare nuk propozoi kandidatë brenda afatit të përcaktuar në Kushtetutë, çka do të thotë se në seancën e kësaj të hëne raundi i tretë do të kalojë pa emra.
Bisedimet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës nuk prodhuan asnjë rezultat.
Shumica parlamentare i qëndroi vendimit për të mos depozituar asnjë kandidaturë nën argumentin se deri në raundin e tretë kjo është një e drejtë ekskluzive e opozitës, por demokratët në parlament nuk ndryshuan qasje duke e cilësuar këtë ftesë si të pa sinqertë.
Me dështimin e raundit të tretë i hapet rrugë mekanizmit zhbllokues të parashikuar në Kushtetutë ku raundi i katërt dhe i pestë parashikon një votim me shumicë të thjeshtë votash.
Agjenda e socialistëve është programuar që më parë ku pritet që pas djegies të raundit të tretë të mbledhin kryesinë ku do të bëjnë publik edhe emrin që do të çojnë për votim si President i ri i Republikës.
Kushtetuta përcakton se një kandidat për president propozohet me firmat e 20 deputetëve.
Në tre raundet e para, Kushtetuta përcakton se kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të cilësuar, 84 vota.
Në raundin e katërt dhe të pestë, presidenti zgjidhet me shumicë të thjesht, me 71 vota. /Telegrafi/