Ka disa ditë që pjesëtarë të PDK-së dhe VV-së akuzojnë njëri-tjetrin për keqpërdorime. Akuzat përcillen edhe me fjalorë jo të duhur.
Mbrëmë në një debat në RTK, deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se “Blerta Deliu, një shërbëtore që me zell i shërben klanit Pronto”, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, Deliu kishte thënë se “personalisht frikësohem për të ardhmen e fëmijëve të mi në një Qeveri që do të qeveriset nga Albin Kurti”.
“Unë personalisht kam frikë që Dardan Molliqaj do të merr një pozicion për të ardhmen e fëmijëve të mi”, ka thënë ajo, teksa më vonë përmes profilit të saj në Facbook shprehet se është kërcënuar nga burri i Haxhiut, Alban Krasniqi.
Fyerje drejtë Haxhiut sot shkuan nga asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Muhamet Selmani.
Pas Selmanit, reagime ka pasur nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky i cili përmes një shkrimi i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që të ndalojë fyerjet.
Ndërkohë, zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë se në rastin e deputetes së zgjedhur Deliu do të padisin VV-në.
“Por, nuk do të ndalemi me kaq se ka shumë e shumë gjëra të VV-së për çka duhet të ndëshkohet nga qytetarët”, thotë ai.
Kundër diskursit të përdorur nga anëtarët e PDK-së dhe VV-së, është deklaruar edhe ish-pjesëtari i UÇK-së dhe aktivisti i çështjes shqiptare në SHBA, Uk Lushi.
“Nëse janë liderë të vërtetë, Kadri Veseli dhe Albin Kurti duhet urgjentisht të kërkojnë nga anëtarët e partive të veta të ndalin gjuhën e ndyer dhe sulmet e ulëta kundër njëri-tjetrit”, thotë ai.
Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga deputeti i zgjedhur i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, i cili në një mënyrë i ka dalë në mbrojtje deputetes së VV-së, pas shkrimit të Muhamet Selmanit, duke thënë se nuk është ajo përgjegjëse për kërcënimin e burrit të saj kundrejt Deliut.
“Nuk po e kuptoj se çfarë faji ka në këtë mes deputetja Albulena Haxhiu?!”, thotë ai. “Valla shoqëri talibane jemi bre? Besoni edhe Afganistani na ka lakmi për do budallaki”! /Telegrafi/