Telegrafi

Çdo lojtar dhe anëtar i stafit të Argjentinës donte një fotografi me Messin dhe trofeun Finalissima

Lionel Messi u bombardua me kërkesa për fotografi nga lojtarët dhe zyrtarët e Argjentinës pas fitores së trofeut Finalissima kundër Italisë.

Argjentina mundi 3-0 Italinë në Wembley në betejën e madhe mes fituesve të Copa America dhe Euro 2020 të mërkurën mbrëma.

Argjentina doli fitimtare me golat ​​e Lautaro Martinez, Angel Di Maria dhe Paulo Dybala, me kapitenin Messi që dhuroi një paraqitje klasi në stadiumin kombëtar të Anglisë.

Lexo po ashtu Përmbledhja e paraqitjes individuale kundër Italisë tregon se Messi është një lojtar i një niveli tjetër

Messi asistoi në dy nga tre golat, duke përfshirë një super aksion individual ku shkatërroi Giovanni Di Lorenzon për ta vendosur ‘topin në pjatë’ për golin e Martinezit.

Dhe pas ndeshjes, fjalë për fjalë çdo njeri brenda ekipit dhe stafit donin një foto me Messin dhe trofeun e lakmuar ndërkombëtar.

Llogaria zyrtare e Copa America në Twitter ka postuar një video të kërkesave të shumta të Messit për foto në festimet e Argjentinës.

Shokët e skuadrës si Paulo Dybala, Juan Foyth dhe Nicolas Otamendi, por edhe të tjerë donin të gjithë atë moment shumë të rëndësishëm për t’u treguar nipërve të tyre në të ardhmen.

Edhe disa zyrtarë të ekipit kombëtar ishin gjithashtu të etur për të bërë një foto me shtatë herë fituesin e Topit të Artë.

Ata vërtet vinin një nga një dhe pozonin pranë Messit, i cili po shtrëngonte trofeun e dytë zyrtar me ekipin kombëtar të Argjentinës. /Telegrafi/