Telegrafi

Benfica ka refuzuar një ofertë tunduese prej 100 milionë euro për Enzo Fernandez

Enzo Fernandez ka qenë futbollisti i ri më i mirë në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’.

Mesfushori i talentuar e nisi si rezervist Kampionatin Botëror, por zuri vend menjëherë në formacionin bazë dhe shkëlqeu me paraqitjet e tij.

Falë paraqitjeve fantastike në Katar, por edhe me Benficën këtë edicion, Enzo Fernandez është bërë objektiv i top klubeve evropiane.

Real Madrid dhe Liverpooli janë dy skuadrat e mëdha që kanë shprehur interesim për të, por problem mbetet klauzola e lartë e argjentinasit.

Sipas gazetës portugeze Record, Benfica ka refuzuar një ofertë prej 100 milionë eurosh nga një klub i paidentifikuar për Fernandez, pasi klubin portugez po kërkon vetëm 120 milionë euro sa është klauzola e tij për ta lënë të lirë.

21-vjeçari iu bashkua Benficas vetëm në verën e këtij viti për 12 milionë euro nga River Plate dhe qysh në vitin e tij të parë ka zhvilluar 27 ndeshje ku ka realizuar katër gola e ka asistuar në gjashtë të tjerë.

Gjithsesi mbetet të shihet nëse Los Blancos ose The Reds do të paguajnë klauzolën e tij për ta transferuar yllin e ri gjatë afatit kalimtar të janarit.

Vlen të përmendet se situatën e lojtarit është duke e përcjellë edhe PSG që mund të dalë me një ofertë në janar për transferimin e argjentinasit. /Telegrafi/