Barcelona konfirmoi transferimin e Antoine Griezmann të premten pasdite dhe paguan 120 milionë euro për francezin, duke quar shpenzimet e tyre të transferimeve mbi 1 miliard euro në pesë vitet e fundit.
U desh kohë për të arritur marrëveshjen, por më në fund Barcelona ka njoftuar se ka nënshkruar me Griezmann nga Atletico Madridi, duke rënë dakord të paguajnë klauzolën e lirimit prej 120 milionë eurosh.
Ky transferim i katalunasve bëhet më i madhi që kanë paguar ndonjëherë për një transferim të plotë, duke e niveluar me Philippe Coutinho, i cili erdhi për shifrën e njëjtë nga Liverpooli.
Sipas mediumit Voetbal International, Blaugranët e kanë quar shifrën e shpenzimeve mbi 1 miliard euro në transferime në pesë vitet e fundit, më shumë se çdo skuadër tjetër.
Pas klubit të madh spanjoll vjen radha për ekipet e Ligës Premier, të cilët zënë tri pozitat pasuese, me Manchester Cityn në vendin e dytë me 996 milionë euro shpenzime, Unitedin në të tretin me 890 milionë euro dhe Chelsean në vendin e katërt me 875 milionë euro.
Vendi i pestë është i zënë nga klubi i madh italian, Juventusi, që po investon vazhdimisht në kërkim të trofeut të Ligës së Kampionëve, ndërsa pas tyre Atletico Madridi.
Klubi i sheikëve, Paris Saint-Germain gjendet i shtati në listën e shpenzimeve, ndërsa pas tyre vjen Real Madridi në vendin e tetë, Liverpooli i nënti dhe Roma e dhjeta. /Telegrafi/