LAJMI I FUNDIT:

Ramiz Alia: Jugosllavët e vranë Mehmetin!

Ramiz Alia: Jugosllavët e vranë Mehmetin!

Procesverbali me shënimin “tepër sekret” i mbledhjes së sekretarëve të Komitetit Qendror e 12 shtatorit 1983, sjell shumë fakte të reja dhe interpretime të panjohura mes krerëve të Komitetit Qendror për ngjarjen më të bujshme e misterioze, “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut natën e 17 dhjetorit 1981.

Në këtë mbledhje Ramiz Alia kujtoi dëshmitë e shoferit personal të Kadri Hazbiut dhe analizoi lëvizjen e Kadri Hazbiut atë natë në bllok dhe vizitën në dhomën e Mehmet Shehut, ku e kishte shoqëruar bashkëshortja e këtij të fundit, Fiqrete Shehu.

Sipas Ramiz Alisë, ajo vizitë në dhomën e Mehmet Shehut natën e “vetëvrasjes” është shumë domethënëse, për vetë faktin se Kadri Hazbiu nuk e pranoi asnjëherë në gjyq këtë fakt. Ai e kundërshtoi në gjyq shoferin e tij duke i thënë se ai nuk ka zbritur nga makina atë natë dhe nuk ka ndaluar në bllok, por ka shkruar drejt e në shtëpinë e një të njohuri që festonte 35-vjetorin e lindjes… Por, sipas Ramiz Alisë, edhe vetë personi që festonte ditëlindjen e vuri me shpatulla pas muri Kadri Hazbiun, duke mos e lejuar të krijojë një alibi.

Mbledhja e sekretarëve të Komitetit Qendror vijon e këtillë me ndërhyrje të vogla të pjesëmarrësve të tjerë, si: Pali Miska, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çërrava etj., dhe me ligjërata të gjata nga Ramiz Alia.


Alia hedh idenë se Mehmet Shehu u vra me urdhër të jugosllavëve. Ata e dërguan Kadri Hazbiun natën e 17 dhjetorit 1981 dhe e dogjën përfundimisht kartën e tyre të fshehtë (Mehmet Shehun). Se ku e bazon këtë argument Ramiz Alia, e procesverbali.

***

SHOKU PALI MISKA: Kur Mehmet Shehu vrau veten, Kadri Hazbiu kujtoi se e “kapërceu lumin”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kadri Hazbiu me siguri ka ndikuar që armiku Mehmet Shehu të vrasë veten. Atë natë, pas mbledhjes së Byrosë Politike, Kadri Hazbiu kur ka shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe i ka thënë: “T’u zbuluan petët e lakrorit”, bile ka shumë mundësi që ai t’i ketë thënë gjithashtu: “Kam urdhër që nesër të arrestoj. Prandaj si do të bësh, do vish nesër në mbledhje dhe unë të vë prangat se këtë unë jam i detyruar ta bëj, apo do të gjesh rrugë tjetër”. Kështu mund t’i ketë thënë dhe Mehmet Shehut i lindi ideja që të bënte atë që bëri vite më parë Nako Spiru.

SHOKU PALI MISKA: Po, po, ai e ka bërë këtë punë.

SHOKU RAMIZ ALIA: E ka bërë me siguri! Këtë e tha edhe Fiqreti në gjyq.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Ajo tha se që kur erdhi në shtëpi Kadri Hazbiu, Mehmeti u zverdh, u shqetësua.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, Mehmet Shehu u shqetësua patjetër, bile që kur i tha shoku Enver në mbledhjen e Byrosë Politike për alibinë, Kadri Hazbiu e dinte që shoku Enver kishte dokumente për Mehmet Shehun.

SHOKU PALI MISKA: Po, po, dinte.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe kur shoku Enver përmendi alibinë, Kadriut menjëherë iu kujtua dhe mendoi se shoku Enver do t’ia shtronte ato në mbledhjen e Byrosë Politike, të nesërmen.

SHOKU PALI MISKA: Prandaj ai përdori këtë mekanizëm. Mos ka pasur Mehmet Shehu dyshime te Kadriu?

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po. Fiqreti tha se kur u bë fejesa e djalit të tyre, Skënderit, Kadriu filloi të mbajë distancë me Mehmetin dhe Mehmeti shpesh herë më thoshte: “Ah ky judë, ky më tradhtoi dhe kërkon të më zërë vendin, bëri luftë”.

SHOKU PALI MISKA: Po, kjo është logjike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo vetëm kaq, por ajo është logjike edhe nga pikëpamja e jugosllavëve. Në fakt deri sa jugosllavët i dhanë detyrë Mehmet Shehut të bënte atentat kundër Enver Hoxhës, ata e eliminuan atë. Ai ishte fundi i tij. Vritej apo nuk vritej terroristi Mehmet Shehu atje ku mendonte të bënte atentatin, Partia dhe populli atë do ta varnin në litar.

SHOKU MUHO ASLLANI: Po, po.

SHOKU RAMIZ ALIA: Si vrasës, si terrorist të Enver Hoxhës, ai s’kishte shpëtim, ai mbaronte. Pra jugosllavët e zhdukën, e dogjën agjentin e tyre për një çështje më të madhe. Kishin hallin e Kosovës ata. Fundi i fundit ata menduan: përse e duam këtë kartë ne? Në radhë të parë për të shpëtuar veten. Kur po digjej Jugosllavia, ia vlente “barra qiranë” ta eliminonin Mehmet Shehun. Nga ana tjetër jugosllavët kishin rezerva të tjera. Kështu që me siguri ata e kanë porositur Kadriun si do të vepronte. Kjo shpjegon atë që Kadri Hazbiu nga shtatori filloi të mbajë distancë me Mehmet Shehun. Ai filloi të vinte dhe këtu në takimet tona dhe diskutonte edhe për probleme të tjera.

SHOKU PALI MISKA: Po, edhe në qeveri filloi të marrë frenat.

SHOKU MUHO ASLLANI: Sidomos kur bënte takime me dikasteret për organikën e për strukturën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu që ai pas kësaj filloi të ngrihet si gjel, se kjo ishte porosi e jugosllavëve. Kur shoku Enver i tha në mbledhjen e Byrosë Politike Mehmet Shehut: “alibia jote nuk qëndron”, atëherë Kadri Hazbiu ka menduar se Mehmet Shehu u mbërthye dhe po u mërzit ai, do shtrëngohet dhe mund të flasë, mund të tregojë edhe për mua, atëherë u dogja edhe unë, prandaj Mehmeti duhet eliminuar. Si ta eliminonte? Ta vriste? S’kishte se si ta bënte. Atëherë gjeti rrugën tjetër: ta frikësonte, ta trembte, në mënyrë të tillë sa që ai t’i binte vetes. Kështu që Kadriu atë natë duhet t’i ketë thënë: “Unë jam ministër i Mbrojtjes, tani po trajtohem mirë, unë jam anëtar i Byrosë Politike, prandaj mua dhe jo Feçor Shehun, më kanë ngarkuar të të vë hekurat. Erdha kështu që t’i ndajmë hesapet se kjo punë nuk bëhet ndryshe”.

SHOKU PALI MISKA: Logjike është kjo.

SHOKU RAMIZ ALIA: Fiqretja e vërteton që erdhi Kadriu në shtëpi dhe u futën të dy me Mehmetin në dhomë. Që i ka thënë këto gjëra Kadriu Mehmetit kjo është kaq e vërtetë sa Mehmeti, siç tha ajo, pas ardhjes së Kadriut ndryshoi menjëherë. Atë natë, – tha Fiqreti, – e kishim lënë të bisedonim në telefon me Skënderin. Fiqreti tha kështu: Kur erdhi Mehmeti nga mbledhja e Byrosë Politike më tha se do punonte mbasi duhej të përgatitej për të nesërmen, se shoku Enver i kishte thënë që duhej të përgatitej dhe të jepte shpjegime prapë. “Prandaj, i thuaj Nerit (Skënderit), të më marrë nesër mbrëma në telefon”. “Veç kësaj, – vazhdon Fiqreti, – ai më tha se nesër paradite mund të mbarojë mbledhja e Byrosë Politike, kështu që pasdite vemi një vizitë te Hekurani se i ka vdekur nëna”. Pra, tërë rrethanat flasin qartë se ai, përpara se të vinte Kadri Hazbiu nuk kishte vendosur për të vrarë veten.

SHOKU MUHO ASLLANI: Kurse ky i vajti e i bëri presion.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nga sa më kujtohet, mbledhja e Byrosë Politike më e rëndë, për mendimin tim, ka qenë paradite, sepse paradite ishin ato pyetjet therëse.

SHOKU PALI MISKA: Të forta.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju kujtohet apo jo?

SHOKËT: Po, po.

SHOKU RAMIZ ALIA: Sa pyetje i bëmë ne Mehmetit!!

SHOKU PALI MISKA: Një e treta e kohës shkoi me pyetje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Një e treta e kohës me pyetje dhe pyetjet ishin therëse.

SHOKU PALI MISKA: Shumë therëse.

SHOKU RAMIZ ALIA: Që vinin dyshim politik mbi Mehmetin.

SHOKU PALI MISKA: Po, po.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pse e ke bërë këtë? Pse ke bërë këtë tjetrën?

SHOQJA LENKA ÇUKO: Diskutimi i çështjes së tij doli nga kuadri i fejesës.

SHOKU RAMIZ ALIA: Atij bile iu bënë edhe pyetje të tilla: “Kishe apo s’kishte besim te Partia? Ti kërkoje t’i imponoje vijë Partisë? Pra ishin të tëra pyetjet e forta, me dyshime.

SHOQJA LENKA ÇUKO: S’kishte nga të dilte.

SHOKU MUHO ASLLANI: Pasdreke, të mos gabohem, u bënë vetëm diskutime dhe ndonjë vërejtje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe tonin diskutimet e morën që paradite. U bë propozimi për masën që duhej marrë ndaj tij. Kështu që diskutimet e pasditet ishin vazhdim i atyre që u bënë përpara dite. Diskutimet e shokëve ishin shumë të forta, shumë të drejta, shumë goditëse por në fund të fundit ato që ishin për t’u thënë u thanë që paradite, kështu që ai, po të ishte puna që do të vendoste të vriste veten, ai do ta vriste në drekë, pse të vinte të dëgjonte dhe pasdite? Ai e mori vesh të tërë procesin.

SHOKU PALI MISKA: Ashtu është, ka logjikë këtu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe në mbrëmje i tha Fiqretit që të nesërmen do të vinin te shoku Hekuran për ngushëllim, që t’i thoshte edhe Skënderit se të nesërmen do të fliste në telefon. Ai as me djalin e vet nuk foli në telefon atë natë, që fundi-fundit në qoftë se kishte vendosur të vriste veten vetëm për t’ia dëgjuar zërin edhe një herë të birit do kishte biseduar në telefon me të.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Po të kishte vendosur të vetëvritej për ta shpëtuar djalin, të cilin e kishte bashkëpunëtor në krim, do t’i thoshte: “Sido që të vijë puna, pa porosinë time mos u kthe”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Të gjitha këto vërtetojnë se Kadriu e ka shtyrë Mehmetin të vrasë veten.

SHOQJA LENKA ÇUKO: “E prita unë Kadriun, – tha Fiqreti, – dhe kërkova që të rrija edhe unë bashkë me ta, por Kadriu më tha: “Jo, se këto që do të bisedoj unë me Mehmetin, ai do të t’i thotë ty, kështu që nuk është nevoja të rrish ti këtu”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po u qëruan këta armiq.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Shpëtuam.

SHOKU PALI MISKA: Mehmet Shehu ishte kryeqeni i tyre, por ama dhe Kadri Hazbiu ishte më qen se ai. Në mbledhjet e qeverisë Kadriu hiqej sikur i dinte të gjitha. Për të tëra fliste, për delet e për lopët. Për këto fliste ama se për vete asgjë nuk thoshte.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Nuk fliste për vete se Mehmeti nuk i kërkonte llogari për punën e tij.

SHOKU PALI MISKA: Mehmeti gjithnjë në mbledhje të qeverisë i referohej mendimit të Kadriut, duke thënë: “Siç tha dhe Kadriu”.

/Shqiptarja/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori