Telegrafi

Zyra e Orbanit: Nuk do ta arrestonim Putinin nëse do të hynte në Hungari

Shefi i zyrës së kryeministri hungarez Viktor Orban, ka thënë se Hungaria nuk do ta arrestonte presidentin rus Vladimir Putin, nëse ai do të hynte në këtë vend – duke sqaruar se nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë.

Hungaria nënshkroi dhe ratifikoi Statutin e Romës, për krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), transmeton Telegrafi.

Kjo gjykatë lëshoi ​​një urdhër-arrest për Putinin të premten, duke e akuzuar atë për krimin e luftës për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina.

I pyetur nëse Putini do të arrestohej po të futej në territorin e Hungarisë, Gergely Gulyas tha se Statuti i Romës nuk është i përfshirë në sistemin ligjor hungarez.

Lexo po ashtu Zelensky viziton Khersonin, thotë se gjithçka do të “ndërtohet nga e para”

“Ne mund t’i referohemi ligjit hungarez dhe në bazë të tij nuk mund të arrestojmë presidentin rus, sepse statuti i ICC nuk ka hyrë në fuqi në Hungari”, tha Gulyas.

Ai tha gjithashtu se qeveria nuk ka marrë një qëndrim në lidhje me urdhër-arrestin për Putinin.

“Vendime të tilla nuk janë më të lumturat sepse ato kontribuojnë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, jo paqes. Ky është mendimi im”, shtoi Gulyas. /Telegrafi/