Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkarkoi disa nga të dërguarit e lartë të Kievit jashtë vendit të shtunën, përfshirë ambasadorin e vendit në Gjermani.
Në një dekret që nuk jepte asnjë arsye për këtë veprim, i pari i shtetit ukrainas njoftoi shkarkimin e ambasadorëve të Ukrainës në Gjermani, Indi, Republikën Çeke, Norvegji dhe Hungari.
Zelensky u ka kërkuar diplomatëve që të sigurojnë mbështetje ndërkombëtare dhe ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa ajo përpiqet të shmangë pushtimin rus të shkurtit.
Marrëdhëniet e Kievit me Gjermaninë, e cila varet shumë nga furnizimet ruse me energji dhe gjithashtu ekonomia më e madhe e Evropës, janë veçanërisht të ndjeshme, raporton euronews.
Andriy Melnyk, i cili u emërua nga paraardhësi i Zelenskyt si ambasador në Gjermani në fund të vitit 2014, është i njohur në mesin e politikanëve dhe diplomatëve në Berlin.
Ai dikur akuzoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz se sillet si një “sallam i mëlçisë ” kur gjermani nuk pranoi ftesën e Zelenskyt për ta vizituar Kievin.
Kievi dhe Berlini janë aktualisht në mosmarrëveshje për një turbinë të prodhimit gjerman që i nënshtrohet mirëmbajtjes në Kanada.
Gjermania dëshiron që Otava t’ia kthejë turbinën gjigantit rus të gazit natyror Gazprom për të pompuar gaz në Evropë. Por Kievi i ka kërkuar Kanadasë që të mbajë turbinën, duke thënë se dërgimi i saj në Rusi do të ishte një shkelje e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës. /Telegrafi/