Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke iu drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian përmes video-lidhjes, u kërkoi krerëve të shteteve dhe qeverive “të mos bien në pavendosmëri sot” dhe të mos “tradhtojnë” besimin në Evropë.
Këshilli Evropian duhet të votojë nëse do t’i japë Ukrainës, e Moldavisë, dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
E ndërsa deri vonë besohej se Ukraina do të merrte lehtësisht mbështetje, kohët e fundit thuhet se mund të mos jetë kështu dhe se ka shumë kushte, transmeton Telegrafi.
“Kjo ditë do të hyjë në historinë tonë. Qoftë e mirë apo e keqe për ne, historia do të mbulojë gjithçka. Çdo fjalë, çdo hap, çdo veprim dhe mosveprim dhe do të dihet se kush ka luftuar për çfarë”, tha ai.
Zelensky shtoi se është shumë e rëndësishme që Evropa të mos bjerë në pavendosmëri sot, dhe se askush nuk dëshiron që Evropa të konsiderohet e pabesueshme ose e paaftë për të marrë vendime që i ka përgatitur vetë. Ai theksoi se, Kievi e ka bërë punën e tij, shkruan The Guardian.
“Po flasim për një vendim që është premtuar. Dhe nuk kam dëgjuar asnjë kundërargument pse nuk duhet të zbatojmë planin për të cilin ka rënë dakord e gjithë Evropa”, tha ai.
Vitin e kaluar, Ukraina mori rekomandime të qarta se çfarë hapash duhet të ndërmerrte.
“Kemi miratuar ligje kyçe. Të gjithë ju dhe e theksoj: të gjithë ju e dini shumë mirë se ne kemi përmbushur çdo detyrim. Unë i bëj thirrje Evropës të respektojë premtimet e saj. Unë po ju kërkoj një gjë sot – mos e tradhtoni popullin dhe besimin e tyre në Evropë. Nëse askush nuk beson në Evropë, çfarë do ta mbajë Bashkimin Evropian gjallë? Njerëzit në Evropë nuk do të shohin asnjë përfitim nëse Moska merr leje nga Brukseli në formën e negativitetit ndaj Ukrainës”, tha ai.
Ai tha se Putini me siguri do ta përdorë atë kundër tyre personalisht dhe kundër gjithë Evropës.
“Mos ia jepni fitoren e parë – dhe të vetme të vitit. Evropa duhet të fitojë, marrëveshjet duhet të respektohen dhe fjalët duhet të kenë rëndësi”, tha ai në fund. /Telegrafi/