Site icon Telegrafi

Xavi me fjalë të mëdha për Bernardo Silven, por menjëherë pas tij vjen përgjigja e Pep Guardiolës

Barcelona dhe Manchester City janë përballur në një ndeshje miqësore në Camp Nou që përfundoi me spektakël.

Dy skuadrat pas 90 minutave luajtën baras 3-3, në një ndeshje ku nuk mungoi spektakli dhe miqësia mes dy klubeve.

Drejtuesit e dy klubeve kanë raporte të shkëlqyera dhe Barcelona po mendon transferimin e mesfushorit portugez Bernardo Silva në afatin kalimtar të verës.

Se janë të interesuar për të nënshkruar me portugezin e ka konfirmuar edhe trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez pas ndeshjes.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund. Për momentin nuk ka asnjë lajm në këtë drejtim. Kush nuk e pëlqen Bernardo Silvan? Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Pep dhe Cityn”.

“Bernardo Silva është një futbollist që bën diferencën dhe unë e dua këtë lloj futbollisti të talentuar që kupton lojën, që nuk e humb një top në fushë”.

“Ai kupton gjithçka, një aftësi e jashtëzakonshme për të kuptuar lojën. Ka shumë pak futbollistë në botë në këtë nivel, por varet nga City” , ka thënë Xavi pas ndeshjes.

Lexo po ashtu Spektakël me gjashtë gola në miqësoren mes Barcelonës dhe Manchester Cityt

Por pas deklaratës së Xavit ka ardhur edhe përgjigja e Pep Guardiolës, i cili ka thënë se Silva e do Barcelonën dhe se ai nuk është askush që ta ndalë atë.

“Ne duam që Bernardo Silva të vazhdojë me ne, por nuk dua që askush të jetë i pakënaqur këtu. Dy klubet duhet të arrijnë një marrëveshje mes tyre, kjo ka rëndësi. Kush jam unë që t’i them Barçës që ta harrojë firmën me lojtarin tim?”, tha Pep.

Lexo po ashtu E gjithë ajo që ndodhi në afatin kalimtar veror 2022

“Por, ne nuk kemi marrë ofertë zyrtare deri tani. Sigurisht që unë e dua në ekipin tim Bernardon. Nuk dua të largohet, pasi është një futbollist klasi dhe një person i shkëlqyer. E përsëris: unë dua që të qëndrojë, ama është e vërtetë që ai e pëlqen shumë Barcelonën”, u shpreh Pep Guardiola. /Telegrafi/

Exit mobile version