Polonia dhe Bullgaria po marrin gaz nga fqinjët e tyre të Bashkimit Evropian, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kjo vjen pasi gjigandi rus i energjisë, Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz të polakëve dhe bullgarëve, pasi të dyja vendet refuzuan të paguanin gjigantin rus të energjisë në rubla, njoftoi kompania.
Në një deklaratë, Von der Leyen e quajti “një tjetër provokim nga Kremlini” dhe akuzoi Moskën se po e shfrytëzon gazin për të “shantazhuar” bllokun, raporton cnn.
“Kjo është diçka për të cilën Komisioni Evropian është përgatitur, në koordinim dhe solidaritet të ngushtë me shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë. Përgjigja jonë do të jetë e menjëhershme, e bashkuar dhe e koordinuar”, tha ajo në një deklaratë.
“Së pari, ne do të sigurojmë që vendimi i Gazpromit të ketë ndikimin më të vogël të mundshëm tek konsumatorët evropianë. Polonia dhe Bullgaria na informuan për situatën. Si Polonia, ashtu edhe Bullgaria tani po marrin gaz nga fqinjët e tyre të BE-së”, pohoi ajo.
Ndryshe, zyrtarja theksoi gjithashtu nevojën për partnerë të besueshëm energjetik, duke premtuar fundin e epokës së karburanteve fosile ruse në Evropë. /Telegrafi/