Me një atmosferë të ngrohtë dhe festive, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një video përmbledhëse në rrjetet sociale që shfaq bukurinë dhe harmoninë e darkës së organizuar nga vetë ajo në Prishtinë.
Takimi, i cili kishte ftuar shumë artistë të njohur në skenën lokale dhe ndërkombëtare, u bë një moment për të festuar dhe për të nderuar arritjet e tyre.
Veçanërisht në qendër të vëmendjes ishte prezenca e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila festoi 33-vjetorin e lindjes në Prishtinë.
Në video, shihet Presidentja Osmani që ndan me krenari dhe respekt prezencën e Ritës, duke e prezantuar me nderime teksa artistja ndan buzëqeshje dhe fjalë të mira ndaj të pranishmëve. Bashkë me të ishte edhe bashkëshorti i saj, regjisori hollivudian me origjinë nga Zelanda e Re, Taika Waititi.
Në këtë takim madhështor, ndër të tjerë pjesëmarrës ishin edhe: Dafina Zeqiri, Yll Limani, Alma Bektashi, Edona Reshitaj, Jehona Sopi, dhe shumë figura të tjera të artit dhe kulturës. Videoja sjell pamje nga bisedat e gëzueshme, të qeshurat, dhe ndërveprimet ndërmjet artistëve, duke krijuar një ambient të jashtëzakonshëm ku talenti dhe suksesi u nderuan si duhet.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme me Rita Orën, Taika Waititin e miq të shumtë. Një festë e arritjeve dhe të sukseseve panumërta të Ritës dhe të gjithë artistëve tanë në çdo fushë”, shkroi Presidentja Osmani në mbishkrimin e videos në rrjetet sociale.
Rita përndryshe gjatë qëndrimit në vendlindje është nderuar nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me “Çelësin e Qytetit”. /Telegrafi/