Site icon Telegrafi

Viti në një fjalë: Moska

Ilustrimi: FT

Nga: Miles Johnson / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Mësimi i vlefshëm që u pranua në vitin e parë të pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putini ishte ky: aq i shtrënguar është kontrolli i pushtetit të presidentit rus, saqë asnjë anëtar i elitës së vendit nuk do të guxojë ta sfidojë. Kjo zgjati deri në qershor të këtij viti, kur manjati i kateringut i kthyer në bosin brutal mercenar, Yevgeny Prigozhin, organizoi kryengritjen më të madhe të epokës së Putinit.

Gjatë gjysmës së parë të vitit, Prigozhini dhe luftëtarët e tij në Wagner ishin bërë gjithnjë e më të famshëm për luftën e tyre të përgjakshme të shkatërrimit – për të pushtuar qytetin ukrainas të Bahmutit. Por, më 23 qershor, ai postoi një fjalim të gjatë në mediat sociale duke pretenduar se justifikimi zyrtar për pushtimin rus të Ukrainës ishte gënjeshtër dhe se ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, qëllimisht e kishte mashtruar Putinin.

Më pas, gjatë 24 orëve surrealiste, bosi i Wagner-it i drejtoi njerëzit e vet në qytetin rus të Rostov-on-Donit dhe e merr kontrollin e selisë së tij ushtarake. Teksa njerëzit e tij e filluan marshimin e tyre për në Moskë, pjesa tjetër e botës shikoi e tronditur teksa rrëzonin aeroplanët e Forcave Ajrore Ruse dhe teksa Kremlini përpiqej të vendoste linjat mbrojtëse jashtë kryeqytetit.

Por, në momentet kur dukej se njerëzit e Prigozhinit ishin në rrugën e duhur për përballjen historike në portat e Moskës, ai njoftoi se po tërhiqej nga pragu.

Prigozhini u dëbua për në Bjellorusi dhe shumëkush e pyeste veten se cili dënim e pret. Më 23 gusht, një aeroplan privat që transportonte atë dhe nëntë të tjerë, u rrëzua në një fluturim midis Moskës dhe Shën Petersburgut duke i vrarë që të gjithë që ishin brenda.

Teksa u përhapën spekulimet se Putini më në fund kishte vendosur të hiqte qafesh njeriun që dikur ia shërbente darkat, presidenti dha një eulogji të topitur duke e përshkruar Prigozhinin si dikën që kishte “bërë ca gabime serioze në jetë, por që gjithashtu kishte arritur rezultatet e nevojshme”. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Viti në një fjalë: Atropoceni
Lexo po ashtu Viti në një fjalë: Mag7
Lexo po ashtu Viti në një fjalë: X
Lexo po ashtu Viti në një fjalë: LLM
Exit mobile version