Site icon Telegrafi

Viktor Orban u hakmor në mesnatë ndaj Brukselit, Hungaria vendos veto kundër ndihmave për Ukrainën

Pasi zyrtarët e BE-së në Bruksel votuan për hapjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë pa pjesëmarrjen e Hungarisë, Viktor Orban duket shumë shpejt e gjeti momentin për hakmarrje.

Pak orë pasi u arrit marrëveshja për fillimin e negociatave për anëtarësimin e këtyre vendeve, vendet votuan për ndarjen e 50 miliardë eurove për Ukrainën.

Lexo po ashtu Orban thuhet se u largua nga dhoma ndërsa liderët e BE-së morën vendimin për të hapur bisedimet e pranimit me Ukrainën

Kryeministri hungarez, Viktor Orban shfrytëzoi momentin, por edhe ligjet dhe rregullat dhe vuri veton ndaj këtij vendimi, duke e bllokuar atë, raporton newyorktimes.

“Përmbledhje e ndërrimit të natës. Veto për para shtesë për Ukrainën. Veto për rishikimin e kornizës financiare shumëvjeçare të Bashkimit Evropian. Ne do t’i diskutojmë këto çështje vitin e ardhshëm pas përgatitjeve në detaje”, tha Orban.

Ky veprim i Hungarisë vjen vetëm pak orë pasi Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, njoftoi se 26 vendet kishin arritur një konsensus për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Në momentin e votimit për këtë vendim, lideri hungarez doli nga salla dhe tha se nuk do ta votojë këtë vendim dhe se në këto momente është një zgjidhje e keqe hyrja e Ukrainës në BE.

“Pas gati tetë orësh në tryezën e negociatave në samitin në Bruksel, ne zhvilluam një diskutim intensiv për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Pozicioni i Hungarisë është i qartë: Ukraina nuk është gati për negociatat për anëtarësimin në BE. Fillimi i negociatave në këto rrethana është i pakuptimtë, irracional dhe i gabuar”, ka shkruar Orban në rrjetin social X.

Përveç Ukrainës, fillimi i negociatave kanë nisur edhe me Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Kur bëhet fjalë për Bosnje dhe Herzegovinën, zyrtarët e Brukselit përsëritën qëndrimin se do të nisë negociatat në muajin mars nëse plotësohen të gjitha kushtet dhe miratohen disa ligje që janë të nevojshme në rrugën drejt BE-së. /Telegrafi/

Exit mobile version