Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka emëruar ekipin e tij më të mirë me pesë lojtarët më të mirë në futbollin botëror për momentin dhe në të nuk ka hapësirë për Lionel Messin apo Cristiano Ronaldon.
Përpara finales së Ligës së Kampionëve të së shtunës me Real Madridin, Van Dijk u ul me Rio Ferdinand dhe tregoi se me cilët lojtarë do të donte të bënte një ndeshje.
Reprezentuesi holandez zgjodhi veten, padyshim, dhe bashkëlojtarin e Reds, Alisson mes shtyllave. Megjithatë, pas kësaj, gjërat fillojnë të bëhen interesante.
Van Dijk mund të kishte përmendur lehtësisht disa të tjerë nga skuadra e Jurgen Klopp, por vendosi të bëjë tjera zgjedhje.
Në mesfushë ai zgjodhi yllin e Manchester Cityt, Kevin De Bruyne, i cili u emërua lojtari më i mirë i sezonit në Ligën Premier javën e kaluar.
Në sulm, 30-vjeçari vendosi të zgjedhë sensacionin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe dhe veteranin e Real Madrid, Karim Benzema.
Kjo do të thotë se nuk ka vend për Messin e PSG-së apo legjendën e Manchester Unitedit, Ronaldo.
Të dy lojtarët kanë dominuar debatin për më të mirin për dy dekadat e fundit, por koha e tyre në krye duket se po i afrohet fundit.
Ndërsa nuk kishte hapësirë për asnjërin nga lojtarët në skuadrën e van Dijk, ai ende e pranonte se Messi është një nga më të vështirët kundër të cilit ka luajtur ndonjëherë.
“Kam luajtur kundër Sergio Agueros i cili ishte i pabesueshëm. Kam luajtur kundër Messit… ndoshta lojtari më i mirë në historinë e futbollit, për mendimin tim. Mbappe është një lloj ndryshe, i shpejtë”.
“Është një lloj tjetër sulmuesi me të cilin përballemi në ditët e sotme. Si Haaland dhe Darwin Nunez i cili është pak i ngjashëm. I shpejtë, i drejtpërdrejtë, i fortë, është mjaft e vështirë të përballesh me ata djem”, ka thënë Van Dijk. /Telegrafi/