Disa pamje të publikuara në rrjetet sociale thuhet se tregojnë një vërshim të rusëve që largohen nga tubimi pro-luftës të premten në Moskë, në stadiumin Luzhniki.
Madje, sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, rreth gjysmë ore pas hapjes së tubimit, turma njerëzish u panë duke u larguar.
Një aktivitet i tillë iu kushtua përvjetorit të tetë të aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Rusia.
Ndryshe, që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, mijëra njerëz në Rusi janë arrestuar për pjesëmarrje në protestat kundër luftës.
Vetëm më 6 mars, më shumë se 4,300 persona u arrestuan për pjesëmarrje në demonstrata, sipas grupit të pavarur të monitorimit OVD-Info.
E presidenti rus Vladimir Putin, i cili ishte në mitingun e së premtes, i tha audiencës se “ne nuk kemi parë unitet si ky për një kohë të gjatë”.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Federatës Ruse, më shumë se 95,000 njerëz morën pjesë në ngjarjen në stadium dhe 100,000 të tjerë ishin jashtë vendit të ngjarjes.
Pjesëmarrja e lartë ishte pjesërisht nga punonjës të shtetit rus, të cilët thuhet se ishin urdhëruar të bënin një gjë të tillë.
People in Moscow are leaving the pro-war rally at Luzhniki Stadium already. Before the event has even started. (They got their tickets punched, so they can split now.) pic.twitter.com/Nsu5U5ZEcf
— Kevin Rothrock (@KevinRothrock) March 18, 2022
Ndërkohë jashtë stadiumit, një pjesëmarrës i tha BBC News: “Ata na hipën në autobus dhe na sollën këtu”.
Ndërkohë siç shkruan New York Post, përcjell Telegrafi, edhe disa nga ata brenda stadiumit, duke përfshirë shumë punonjës të sektorit publik, i thanë BBC News se ata ishin nën presion për të shkuar nga punëdhënësit e tyre.
“Do të jem këtu për një kohë dhe më pas do të largohem… Mendoj se shumica e njerëzve këtu nuk e mbështesin luftën. Unë jo”, ka thënë një burrë që punonte për sistemin e tranzitit të metrosë së Moskës.
Një grup mësuesish pranuan gjithashtu se ishin detyruar të merrnin pjesë, ndërsa studentët thanë se u jepej një ditë pushimi nga leksionet nëse pranonin të merrnin pjesë në një “koncert”.
Megjithatë, shumë rusë të cilëve iu kërkua një prononcim nuk donin të flisnin apo madje të tregonin fytyrat e tyre – dhe disa dukeshin të “turpëruar” që ishin atje.
Këto pamje vijnë në ditën e 23-të që kur ukrainasit po vazhdojnë të përballen me agresionin rus.
Dhe që nga dita e parë atje ka pasur zhvillime të shumta, që nga dëmet e mëdha materiale, po ashtu edhe humbje të jetëve të njerëzve.
Por kjo nuk ka ulur moralin e tyre, përkundrazi. E përveç moralit ata kanë parë një mbështetje të jashtëzakonshme nga e gjithë bota.
E gjitha erdhi pas kërcënimeve disamujore se do të fillojë pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin më 24 shkurt urdhëroi “operacionet ushtarake” në këtë shtet evropian. /Telegrafi/