Telegrafi

Truss dhe Macron diskutojnë në telefon për sulmet ruse mbi civilët në Ukrainë

Sulmet e fundit ruse mbi zonat e populluara më civilë në Ukrainë, janë diskutuar gjatë një bisede telefonike mes kryeministres britanike Liz Truss dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

“Kryeministrja ka biseduar me presidentin francez Emmanuel Macron këtë pasdite. Liderët shprehën brengat për sulmet e fundit barbare të rusëve mbi rajonet me civilë në Ukrainë”, thuhet në kumtesën e zyrës së kryeministres britanike, transmeton Telegrafi.

“Ata janë pajtuar që Mbretëria e Bashkuara dhe Franca të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku me aleatët që ta mbështesin Ukrainën, dhe të koordinojnë kundërpërgjigjet e tyre ndaj agresionit rus”, është thënë ndër tjera.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje vendeve perëndimore që t’i dërgojnë Ukrainës sa më shumë armë që ta luftojnë agresionin rus.

Madje kanë bërë thirrje për artileri dhe armë tjera moderne, me të cilat do t’i kundërviheshin ushtrisë së Putinit, që nuk po zgjedhë mjete që të shkaktojë sa më shumë viktima në Ukrainë. /Telegrafi/