Site icon Telegrafi

Lajçaku paraqet tri kërkesat e BE-së për Kurtin e Vuçiqin, jep detaje edhe për takimet në SHBA

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje lidhur me takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Lajçak deklaroi se de-përshkallëzimi i situatës, zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit, janë tri kërkesat e Bashkimit Evropian të cilat u janë prezantuar Kurtit, dhe  Vuçiqit, me 22 qershor në Bruksel.

Pas këtij takimi, emisari i BE-së ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë vizitës në SHBA, ai tha se ka takuar zyrtarë të lartë amerikanë, dhe ua ka prezantuar të gjitha detajet e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

“E nisa këtë javë me një vizitë në Washington DC, ku u angazhova në diskutime produktive me kolegë dhe zyrtarë mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta BE-SHBA. Ishte shumë e rëndësishme të isha në SHBA dhe të krahasoja shënimet me bashkëbiseduesit e mi gjatë kësaj kohe të ndjeshme”.

“U takova me nënsekretaren e shtetit Victoria Nuland dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Kemi ndarë një vlerësim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e lehtësuar nga BE’, ka thënë Lajçak.

Lexo po ashtu Krejt çka thanë Kurti, Borrell dhe Vuçiq pas takimeve ndaras në Bruksel

“Për më tepër, pata diskutime domethënëse me disa zyrtarë amerikanë, duke përfshirë Zëvendës Këshilltarin Kryesor të Sigurisë Kombëtare Jon Finer, Drejtoren e Lartë për Evropën Amanda Sloat, Senatorët Chris Van Hollen dhe Chris Murphy dhe Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare Celeste Wallander”.

“Unë isha me fat që u takova edhe me nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së Rosemary DiCarlo gjatë vizitës së saj të shkurtër në DC. Këto diskutime u rrotulluan rreth situatës së sigurisë, hapave të nevojshëm për de-përshkallëzimin dhe rrugës përpara si në Dialog ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, ka thënë Lajçak.

Nga SHBA-ja ka thënë se është kthyer menjëherë në Bruksel për të ndihmuar Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell në mbledhjen e takimeve të menaxhimit të krizës me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti.

Në fund theksoi se synimi i BE-së ishte gjetja e një rrugëdalje nga situata në veri të Kosovës, e cila siç thotë ai vazhdon të jetë shumë e tensionuar./Telegrafi/

Exit mobile version