Site icon Telegrafi

TikTok detajon hapat e ndërmarrë ndaj dezinformimit pas kërkesës së BE-së

Aplikacioni TikTok tha të dielën se kishte mobilizuar menjëherë burimet dhe personelin për t’iu kundërvënë urrejtjes dhe dezinformimit të shfaqur pas sulmit të grupit islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit.

Shefi i industrisë së BE-së, Thierry Breton i dha të enjten TikTok, 24 orë, për të detajuar masat e marra për t’iu kundërvënë përhapjes së dezinformatave në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu hapi një hetim ndaj rrjetit social X.

Pas kësaj letre, TikTok në një deklaratë listoi veprimet që kishte ndërmarrë, megjithëse nuk pranoi të thoshte se si i ishte përgjigjur në mënyrë specifike Bretonit, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

“TikTok qëndron kundër terrorizmit. Jemi të tronditur dhe të tmerruar nga aktet e tmerrshme të terrorit në Izrael javën e kaluar. Jemi gjithashtu thellësisht të pikëlluar nga kriza humanitare në rritje që po shpaloset në Gaza”, bëri të ditur TikTok.

Tutje, TikTok, në pronësi të firmës kineze ByteDance, deklaroi se veprimet e tij përfshinin hapjen e një qendre komandimi, përmirësimin e sistemeve të tij të automatizuara të zbulimit për të hequr përmbajtjen e dhunshme dhe shtimin e më shumë moderatorëve që flasin arabisht dhe hebraisht.

Ndër të tjera Tik Tok po hiqte gjithashtu përmbajtjen që sulmonte ose tallte viktimat e dhunës ose nxit dhunën, kishte shtuar kufizime në përshtatshmërinë për funksionin e tij të transmetimit të drejtpërdrejtë dhe po bashkëpunonte me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe po angazhohej me ekspertë. /Telegrafi/

Exit mobile version