Telegrafi

Tetë të arrestuar gjatë aksionit të PSD-së kundër “tiketave ngjitëse”

Partia Socialdemokrate (PSD) ndërmori një aksion mesditën e sotme në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë, saktësisht te ish-objekti i “Rilindjes” për të kundërshtuar “tiketat ngjitëse”, ndërkaq tetë nga personat pjesëmarrës në këtë aksion janë arrestuar.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për Telegrafin.

“Sot rreth orës 12:00 në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Si pasojë e veprimeve të tyre me shkruarjen e grafiteve, janë dëmtuar disa vetura”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, “Të njëjtit  vazhdimisht  kanë shfaqur shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë,  shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Lexo po ashtu ​PSD vë mbishkrimin “Zhvatësi” në veturat zyrtare, arrestohen Molliqaj, Krasniqi e Nushi

“Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor tetë prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare. Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinon veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë”, thuhet në njoftim.

Ndër të arrestuarit janë edhe Frashër Krasniqi, Nol Nushi e Dardan Molliqaj.

Në lidhje me këto arrestime, kanë reaguar edhe nga PSD-ja.

“Gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së”, thuhet në postimin e PSD-së.

Ata shtojnë se “Policia, nën urdhërat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton shefin e tyre. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kaloj heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit”.

“Kërkojmë urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë”, thuhet në reagim. /Telegrafi/