Telegrafi

Telegrafi ofron përkrahje për gazetarët ukrainas që pritet të vijnë në Kosovë

Telegrafi.com i bashkohet fushatës për përkrahjen dhe solidarizimin me kolegët gazetarë ukrainas të cilët janë të rrezikuar gjatë raportimit nga agresioni rus në Ukrainë e që u është ofruar mundësia që të vijnë në Kosovë.

Telegrafi fton gazetarët nga Ukraina që të jenë pjesë e deskut informativ për të raportuar, duke u ofruar të gjitha kushtet e punës.

Shoqatat e gazetarëve nga Evropa kanë falënderuar Kosovën për strehimin e gazetarëve nga Ukraina.

Edhe Qendra Evropiane për Liri të Mediave (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë.

Përzgjedhja e gazetarëve ukrainas që do të marrin këtë mbështetje nga Qeveria e Kosovës do të bëhet nga ECPMF dhe EFJ.

“Shuma e ndarë do të mbulojë koston e zhvendosjes, koston e qirasë së banimit dhe zyrës, një pagë mujore, sigurimin shëndetësorë për gjashtë muaj”, njofton ECPMF.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti një ditë më parë ka bërë të ditur se Kosova do të strehojë 20 gazetarë nga Ukraina.

“Qeveria jonë sapo vendosi të strehojë në Kosovë 20 gazetarë nga Ukraina. Ata u detyruan të largoheshin nga atdheu i tyre nga pushtimi rus. Në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me @EFJEUROPE & #ECPMF, ne do t’u mundësojmë atyre të punojnë nga distanca”, ka shkruar Kurti në Twitter. /Telegrafi/