Mbrëmja e së shtunës i takon yjeve të futbollit shqiptar, të cilët do të luajnë mes veti në një ndeshje revyale me karakter zbavitës dhe bamirës njëkohësisht.
Më datën 15 qershor (e shtunë), në orën 20:00, yjet e njohur shqiptar zbresin në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Ekipi i krijuar nga mesfushori i Arsenalit, Xhaka me shokë dhe ekipi i krijuar nga sulmuesi i Werderit, Rashica me shokë do të përballen me njëri-tjetrin, për të dhuruar spektakël për të gjithë dashamirët e futbollit në Kosovë e më gjerë.
Në njëzetvjetorin e lindjes së një jete të re, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë më i ndriçuar se kurrë nga yjet e futbollit që përditë i bëjnë dritë emrit të vendit tonë nëpër botë.
Kjo ndeshje organizohet dhe mbështetet nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.
Biletat për tribunat Jug dhe Veri do të jenë falas, biletat për tribunën lindore kushtojnë 2 euro, kurse ato për tribunën perëndimore 3 euro.
Biletat mund të blihen në kioskun e qytetit të Prishtinës si dhe në Rave Travel. Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do t’u ndahen 10 familjeve në nevojë.