Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit mori vendim që ta rris taksën produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nga 10 për qind sa ishte me vendimin e kaluar në 100 për qind, për produktet që hyjnë në Kosovë nga këto dy shtete.
Menjëherë pas mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm dhe ka vlerësuar se shteti serb në vazhdimësi nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) në raport me Kosovën.
“Tani ne kemi bërë një analizë të respektimit të Marrëveshjes së CEFTA-së nga Serbia dhe aty shihet që Serbia i ka vendosur vazhdimisht Kosovës një taksë jo-tarifore. Jo e njëjtë me këtë taksën e produkteve që i kemi vendosur ne. Serbia e ka penguar transportin e mallrave dhe kështu nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-së”, ka thënë Haradinaj.
Ai në profilin e tij zyrtar në Facebook, tha se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ajo duhet zbatuar.
“Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Po ashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë po ashtu menjëherë”, ka shkruar ai.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në profilin e tij zyrtar në Facebook ka shkruar se ky vendim është për shkak të pengesave që i bënë Serbia, Kosovës e po ashtu edhe për fuqizimin e produkteve vendore.
“Ne vazhdën e përpjekjeve tona për të fuqizuar prodhuesit vendorë , për të fuqizuar ekonominë dhe shtetësinë tonë, sot me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria vendosi që ta ngris në 100 për qind taksën e importit ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ju ftoj të gjithëve, të nderuar qytetarë të vendit tonë, prodhues, tregtar, që t’i bashkëngjiteni kauzës tonë, për zhvillim të vendit, për rritjen e punësimit dhe mirëqenies për qytetarët tonë”, ka shkruar Shala.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Serbia ka vazhduar me fushata të egra e të ndyta kundër Kosovës, duke tentuar ta dëmtojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, e me këtë duke e dëmtuar procesin e normalizimit mes dy vendeve.
“Serbia ka vazhduar me fushata të egra e të ndyta kundër Kosovës, duke tentuar ta dëmtojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, e me këtë duke e dëmtuar procesin e normalizimit mes dy vendeve. Kosova ka ndërmarrë hapin e parë me vendosjen e masës në import prej 10%, por meqë kjo nuk ka mjaftuar që sjellja destruktive e Serbisë ndaj Kosovës të ndryshojë, Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që të vendosë taksë prej 100% për importin nga Serbia dhe Bosnja. Republika e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur sovranitetin dhe interesin vital të shtetit”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në Facebook.
Një ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit, Dogana e Kosovës thotë se ky vendim është duke u zbatuar në tërësi.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës me 100 për qind për produktet importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në drejtim të Kosovës është duke u zbatuar plotësisht në të gjithë pikat doganore. Të gjithë pikat doganore janë në funksion të plotë dhe nuk ka vonesa apo kaos gjatë zbatimit të këtij vendimi”, tha për Telegrafin, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Këtë vendim e kanë përshëndetur dhe përfaqësues të bizneseve.
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) thotë se kjo do të rrisë prodhimin vendor.
“Siç edhe e kemi potencuar në deklaratat tona, ky vendim do të duhej të merrej shumë kohë më parë. Besojmë se para marrjes së këtij vendimi, Qeveria e Kosovës është përgatitur për masa në mbrojtjen e prodhuesve vendorë që shfrytëzojnë lëndën e parë nga këto Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thotë OAK.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, për Telegrafin tha se nëse vazhdohet të importohet nga Serbia do të ketë rritje të çmimeve, por se importuesit duhet të gjejnë alternativa nga vendet tjera të rajonit.
“Ne nëse vazhdojmë të importojmë nga Serbia do të ndikoj në çmime, por tash importuesit duhet të gjejnë alternativa nga Shqipëria, nga Maqedonia apo nga ato vende ku kemi bashkëpunim”, tha Shahini.
Lidhur me vendosjen e taksës prej 100 për qind, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, nëse shfuqizohet ky vendim.
“Në çdo dialog ekzistojnë rregullat që të respektohet edhe pala tjetër. Presim nga Prishtina ta kryej punën e saj në mënyrë të civilizuar dhe të heq taksën. Kur ta bëjnë këtë, jemi menjëherë të gatshëm të vazhdojmë dialogun”, ka thënë Vuçiq.
Po ashtu, lidhur me këtë ka reaguar Këshilltari i Kuvendit Komunal në Preshevë, nga radhët e Alternatives për Ndryshim, Almin Shaqiri.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që kjo taksë mos të vendoset për Luginën e Preshevës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mori një vendim për taks 100 për qind të produkteve serbe. Përmes kësaj takse çdo produkt që hyn nga Serbia për në Kosovë do të paguajë taks 100% duke përfshirë gjithë territorin e Serbisë e edhe atë të Luginës se Preshevës. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që ta këtë parasysh rastin ‘sui generis’ të bizneseve të Luginës së Preshevës, që kanë lidhje biznesore me Kosovën, dhe ta ulë ose heqë taksën për bizneset e Luginës”, ka thënë Shaqiri.
Më të butë ndaj Kosovës nuk kanë qenë as ndërkombëtarët.
Federica Mogherini si përfaqësuese e lartë nga Bashkimi Evropian dhe Misioni i UNMIK-ut kanë kërkuar që Kosova menjëherë ta tërheq këtë masë.
Në një njoftim, Mogherini ka thënë se vendimi i Kosovës shkelë Marrëveshjen e CEFTA-së por edhe MSA-në.
“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në 100 për qind, është shkelje e qartë e Marrvëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10 për qind javën e kaluara. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”, thuhet në njoftim.
Kurse në anën tjetër shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se vendimet e tilla ndikojnë keq në raportet Kosovë-Serbi.
Ai kërkoi nga dy shtetet që të mos ndërmarrin veprime, që mund të ndikojnë në prishjen e stabilitetit.
“Shprehim shqetësimin lidhur me ndikimin e mundshëm mbi popullin e Kosovës, dhe me implikimet e mundshme politike në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nga ky vendim. U bëjmë thirrje liderëve që të marrin në konsideratë interesat e njerëzve dhe ta ruajnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga UNMIK-u.
Shumë biznese të cilat veprojnë në fushën e teknologjisë kanë filluar iniciativën për t’i mbështetur bizneset duke lansuar platformën “Prodhim Vendor”, pas taksës së vënë nga shteti i Kosovës për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. /Telegrafi/